Seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë, e mbajtur të enjten më 16 tetor, u shoqërua me debate të forta dhe tensione mes mazhorancës dhe opozitës, kryesisht mbi çështjen e protestës për mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së dhe gjenocidin serb në Kosovë.
Në qendër të debatit u vendos deputeti i PS-së, Ardit Bido, i cili përplasi verbalisht me kreun e opozitës, Sali Berisha, pasi korrigjoi një deklaratë të gabuar të deputetit Tritan Shehu, i cili tha se ish-krerët e UÇK-së janë “të akuzuar për gjenocid kundër Serbisë” — deklaratë që u cilësua si e papranueshme nga Bido.
Pas debatit, Bido u largua nga seanca për shkak të një fatkeqësie familjare, dhe më vonë reagoi me një postim në rrjete sociale ku akuzoi Berishën për manipulim dhe paaftësi për të dëgjuar edhe zërat brenda opozitës:
“Doktori i bllofeve nuk dëgjon as të vetët… Nuk pata mundësi t’i bëja replikë Berishës… Ai nuk e kupton se çfarë flasin deputetët e tij, sepse e ka mendjen vetëm te shpifjet. Është mëse e qartë pse kjo opozitë nuk bind askënd!”, shkruajti ai.
Në një postim tjetër, Bido bëri të ditur ndarjen nga jeta të gjyshes së tij, duke shprehur publikisht dhimbjen dhe njoftuar datën e ceremonisë mortore në Sarandë.








