Kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, ka raportuar këtë të hënë në Komisionin e Ligjeve lidhur me zhvillimet më të fundit në sistemin e drejtësisë. Një nga çështjet e diskutuara ishte arrestimi i avokatit Uljen Bajrami në Elbasan, për të cilin Bogdani tha se KLP ka kërkuar informacion zyrtar nga Prokuroria vendore përpara se të dalë me një qëndrim.
“Nuk mund të shprehemi pa u njohur me detajet. Do të komunikojmë me drejtuesin e prokurorisë dhe pastaj do vlerësojmë qëndrimin”, deklaroi ajo, duke shtuar se informacioni në media ka qenë i kufizuar dhe se “nuk duhet nxituar”.
Sa i takon zgjedhjes së drejtuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Bogdani sqaroi se roli i KLP-së në këtë proces është vetëm formal. “Presim emrin që do të na propozohet nga SPAK dhe komisioni përkatës. Ne e caktojmë sipas ligjit, pa pasur ndikim në përzgjedhje,” tha ajo.
Lidhur me procesin për përzgjedhjen e kreut të SPAK, kryetarja e KLP theksoi se janë miratuar kushtet dhe kriteret formale për kandidatët dhe se tani pritet verifikimi i platformave, dokumenteve dhe profilit profesional të secilit prej tyre, përpara se të kalojnë në seancë dëgjimore dhe votim.
Ajo mohoi që KLP të jetë nën presion, por pranoi se ka pasur lobime në mbështetje të kandidatëve. “Është më shumë mbështetje për preferenca të caktuara, jo presion”, tha Bogdani.








