Sot, Kombet e Bashkuara theksuan se mbajtja e armëpushimit në Gaza është thelbësore për të shpëtuar jetë dhe për të mundësuar dërgimin e ndihmave humanitare.
Përfaqësuesja e Programit Botëror të Ushqimit, Abeer Etefa, njoftoi se prej fillimit të armëpushimit janë futur në Gaza mbi 530 kamionë me ushqime, që mjaftojnë për rreth gjysmë milioni njerëz për dy javë.
Megjithatë, ajo paralajmëroi se armëpushimi është i brishtë dhe kërkoi hapjen e të gjitha kalimeve kufitare, veçanërisht në veri të Rripit të Gazës, ku situata e furnizimit me ushqim është shumë e vështirë.
Aktualisht, vetëm dy kalime janë të hapura, dhe numri i pikave të shpërndarjes së ushqimit është ende shumë i vogël në krahasim me nevojat e popullsisë.








