-sidi education-spot_img
19.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

‘Inkursione të reja’- Albin Kurti: Mos lejoni pa ndëshkuar Serbinë

Kryesoret

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tha se përparimet e bëra në shtetin e tij mbesin nën “hijen e kërcënimeve dhe agresionit të vazhdueshëm” nga Serbia, duke kërkuar që Beogradi të mos lejohet që të veprojë “me pandëshkueshmëri”.

Në fjalën e tij në samitin e Procesit të Berlinit, që po mbahet në Londër, Kurti tha se sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit në shtatorin e vitit 2023, nuk duhet të injorohet.

Ai kujtoi se për këtë sulm përgjegjësinë e ka marrë Millan Radoiçiq – ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit – por, ai nuk po përballet me drejtësi.

“Fqinjit tonë armiqësor në veri nuk duhet t’i lejohet të veprojë me pandëshkueshmëri, pasi kjo nxit inkursione të reja dhe dërgon një sinjal të rrezikshëm se sulmet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës mund të mbeten të pandëshkuara”, tha Kurti, sipas fjalimit të publikuar në Facebook.

Kosova vazhdimisht ka kërkuar që Serbia ta ekstradojë Radoiçiqin, teksa në vend po mbahet gjykimi ndaj tre nga dhjetëra të akuzuar për Banjskën, kur një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra nga një grup i serbëve të armatosur.

Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar që përgjegjësit për Banjskën të përballen me drejtësi.

Në Londër, udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe disa udhëheqës të Bashkimit Evropian po zhvillojnë samit, që është thënë se do të fokusohet në forcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe infrastrukturor, si dhe përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit.

Gjatë samitit, Kurti kërkoi që të ketë një unitet për t’iu bërë ballë presioneve të jashtme, por edhe “dyshimeve të brendshme”.

“Një unitet i tillë duhet të shtrihet edhe në juglindje të kontinentit tonë. Ballkani Perëndimor gjendet gjeografikisht brenda kufijve të BE-së dhe NATO-s, por të gjitha vendet mbeten jashtë BE-së dhe gjysma jashtë traktateve të NATO-s. Kjo nuk është as e mençur dhe as solide. Për ta frenuar ndikimin rus apo kinez në Evropë, nuk duhet të lëmë asnjë vakum”, tha Kurti.

Sipas tij, teksa po vazhdon lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, Londra “mund të ndihmojë shumë duke mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor që duan t’i bashkohen NATO-s, duke mbyllur kështu këtë boshllëk të rrezikshëm të sigurisë”.

Procesi i Berlinit është nismë diplomatike e themeluar në vitin 2014 nga kancelarja e atëhershme e Gjermanisë, Angela Merkel, e cila synon afrimin e vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka mirëpritur udhëheqësit nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina, dhe Maqedonia e Veriut, si dhe përfaqësues nga Gjermania, Franca dhe anëtarë të tjerë të BE-së.

Në samit, Shqipëria po përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama, Serbinë po e përfaqëson kryeministri Gjuro Macut, Malin e Zi kryeministri Millojko Spajiq, Maqedoninë e Veriut kryeministri Hristijan Mickoski, ndërsa Bosnjën kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto.

Në këtë samit marrin pjesë edhe kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz.

Një ditë para samitit, të martën, Mbreti britanik Charles III e organizoi një pritje për pjesëmarrësit.

Çfarë është Procesi i Berlinit?

Procesi i Berlinit nisi në vitin 2014, me iniciativën e kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel.

Synimi i samiteve të tij, të cilat mbahen çdo vit, është që ta rrisin bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor – Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Bosnje e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut – dhe gradualisht t’i afrojnë ato më pranë BE-së.

Nga gjashtë shtetet e rajonit, vetëm Kosova nuk është kandidate zyrtare për anëtarësim në BE.

Në kuadër të Procesit të Berlinit, ndër vite, janë bërë disa marrëveshje dhe deklarata, por shumë prej tyre kanë mbetur pa u zbatuar.

Ministria e Jashtme e Britanisë tha në një komunikatë se udhëheqësit do të bisedojnë për stabilitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin ekonomik në rajon, ku lufta kundër migracionit të paligjshëm, veçanërisht në rrugët kryesore të kontrabandës, do të theksohet si temë kyç.

Britania pret që samiti ta forcojë bashkëpunimin e saj me partnerët evropianë për të zbatuar strategjinë e Qeverisë për t’i forcuar kufijtë, për t’i goditur bandat dhe për t’i kthyer ata që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në vendet e tyre të origjinës.

Gjithashtu, ajo theksoi se Mbretëria e Bashkuar po kërkon të rindërtojë marrëdhënien e saj me BE-në.

Deri më tani, udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe BE-së janë takuar 11 herë: katër herë në Berlin dhe nga një herë në Londër, Vjenë, Paris, Trieste, Poznan, Sofje dhe Tiranë./ REL

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit