“Askush nuk mund të shmangë përgjegjësinë e tij duke ia hedhur fajin tjetrit”.
Franklin D. Roosevelt
Më 23 tetor, në Bruksel do të mbahet Samiti i Këshillit Evropian, i cili do të vendosë mbi diskutimet që zhvilluan të njëzet e shtatë kryetarët e shteteve dhe qeverive të BE-së në samitin jozyrtar të Kopengahenit. Në këtë samit një vend kryesor do të zërë vendimi për përdorimin e aseteve të ngrira ruse për të financuar mbrojtjen e Ukrainës. Asetet e ngrira ruse janë fonde valutore të Federatës Ruse, të institucioneve shtetërore, kryesisht të Bankës Qendrore të Rusisë, apo personave dhe kompanive të lidhura me Kremlinin, që vendet perëndimore: BE, SHBA, Britania e Madhe, Japonia, Kanadaja, etj., i kanë bllokuar pas pushtimit të Ukrainës, në shkurt 2022. Këto asete ndodhen kryesisht në BE, 258 miliardë euro. Pjesa më e madhe e tyre, rreth 185 miliardë euro, ruhen në Euroclear, institucion financiar ndërkombëtar me qendër në Bruksel, i cili është depozituesi qendror i titujve financiarë dhe garanton transaksionet e tyre. Euroclear nuk mund t’i lëvizë ose t’i përdorë këto fonde pa miratimin e autoriteteve evropiane.
ASETET SOVRANE RUSE
Ukraina, qysh vjet ka arritur të mbijetojë nga interesi i aseteve sovrane ruse, fitimet vjetore të të cilave shkojnë rreth 3-5 miliardë euro. Këto fonde nuk do të jenë të mjaftueshme nëse lufta e Rusisë zgjatet. Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon se Ukrainës do t’i duhen rreth 56 miliardë euro deri në vitin 2027. Sipas BEsë, e vetmja mënyrë realiste për të siguruar këto para është përdorimi i aseteve themelore të Kremlinit, që ruhen në bankat evropiane. Në një deklaratë të përbashkët, Presidenti Macron, Kancelari Merz dhe Kryeministri Starmer kanë rënë dakord të “rritin trysninë” mbi Presidentin Putin për t’iu kundërvënë “taktikave të tij zvarritëse dhe sulmeve të neveritshme në përgjigje të bisedimeve për paqe”. Për këtë qëllim, ata kërkojnë të përdorin asetet sovrane ruse të bllokuara për të mbështetur forcat e armatosura të Ukrainës dhe në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës t’i japin fund luftës. Në Kopenhagen, të njëzet e shtatët nuk arritën mirëkuptim për të përdorur këto fonde. Liderët evropianë dhe Shtetet e Bashkuara kanë nguruar të konfiskojnë fondet ruse nga droja se mos krijojnë një precedent të rrezikshëm, që mund të përdoret kundër qeverive perëndimore në të ardhmen dhe të trembë investitorët e huaj. Ata janë shqetësuar, gjithashtu, se Rusia mund t’i rifitojë paratë e veta në gjykatë dhe vendet e tyre duhet të përgjigjen për shuma të mëdha.
Një detyrim i tillë do ta falimentonte Belgjikën, prandaj Kryeministri De Wever vëren se kjo nuk do të ndodhë, mirëpo pa pëlqimin e Belgjikës, marrëveshja e ka shumë të vështirë të përparojë. Sidoqoftë, sipas një plani, që po përpunohet nga udhëheqësit e BE-së dhe G7, vendet do t’i japin Ukrainës deri në 172 miliardë euro kredi, të cilat do të mbështeten nga paratë e bllokuara ruse. Ukraina do të duhet ta kthejë kredinë vetëm nëse Moska paguan dëmshpërblimet e luftës, gjë që konsiderohet e pamundur. Kjo qasje synon të shmangë konfiskimin e drejtpërdrejtë, duke i lejuar Rusisë të ruajë pretendimin e saj mbi asetet, ndërsa BE i investon ato në instrumente të sigurta si obligacione të BE-së. Ky mekanizëm do t’u lejonte vendeve të mënjanonin rrezikun e konfiskimit të aseteve ruse, ndërsa lironin huma të mëdha. Shpresa është që kjo të rritë trysninë mbi Putinin dhe të sigurojë një mekanizëm financimi afatgjatë për Ukrainën, prandaj BE e mirëpret samitin e Budapestit.
MOSKA: DO TË HAKMERREMI NËSE EUROPA PËRDOR ASETET RUSE PËR UKRAINËN
Presidenti Putin paralajmëroi në shtator se çdo veprim evropian për të marrë asetet sovrane të Rusisë “do të shkatërronte plotësisht të gjitha parimet e aktivitetit ekonomik dhe financiar ndërkombëtar dhe padyshim, do të shkaktonte dëm të madh në të gjithë ekonominë globale”. “Vjedhja e rezervave të Rusisë nga Perëndimi – vijon ai, – vetëm sa do të përshpejtonte copëtimin e sistemeve financiare globale”.
Rusia ka ushtruar presion mbi vendet e tjera që të zhvendosin tregtinë e tyre nga dollarët dhe eurot dhe të zhvillojnë sisteme pagesash imune ndaj ndërhyrjeve perëndimore. Kremlini do të kërkonte, gjithashtu, ndjekjen penale të individëve dhe vendeve të përfshira në “vjedhjen” e aseteve sovrane ruse të ngrira në Evropë. Kësisoj, Rusia kërcënon se do të sekuestrojë asetet e kompanive dhe individëve të huaj nga vendet që mbështesin përdorimin e aseteve ruse për Ukrainën. Rusia tashmë ka sekuestruar operacionet e shumë kompanive perëndimore, pjesë e një rishpërndarjeje më të gjerë të pasurisë gjatë luftës.
KREMLINI, NË VËSHTIRËSI FINANCIARE
Projektligji për buxhetin e Rusisë për vitin 2026 flet mbi gjendjen e vërtetë të ekonomisë ruse. Rusia po hyn objektivisht në një periudhë që nuk ka qenë kurrë më e keqe që nga fillimi i agresionit kundër Ukrainës në vitin 2022. Bumi ekonomik, kryesisht, i lidhur me përpjekjet e luftës, tani është një gjë e së kaluarës. Për herë të parë në katër vjet, Kremlini është i detyruar të ulë pak shpenzimet e mbrojtjes, edhe pse pjesa e dedikuar për të, duke përfshirë investimet në siguri, mbetet në 8% të Produktit të Brendshëm Bruto (PPB), që është ende shumë e madhe.
Lufta, që sipas llogaritjeve evropiane, ka kushtuar 228 miliardë euro mbetet ende një përparësi në kontekstin e një ngadalësimi të ndjeshëm. Rritja ekonomike nga 4.5% në tremujorin e katërt të vitit 2024, ra në rreth 1.4% në tremujorin e parë të vitit 2025 dhe sipas një parashikimi, rritja e PBB për 2025 do të jetë rreth 1%, duke e detyruar Vladimir Putinin të tërhiqet nga premtimi i tij për të mos rritur taksat. Tatimet dhe huamarrja ka të ngjarë të rriten. Për të përmbushur objektivat e të ardhurave dhe për të mbuluar deficitet, qeveria thuhet se po shqyrton rritjen e taksave dhe huamarrjes. TVSH-ja për shumë produkte do të rritet nga 20% në 22% dhe do të zbatohet për të gjitha ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat deri më tani përfitonin nga një normë e thjeshtuar prej 6%. Pjesa likuide e Fondit Kombëtar të Pasurisë të Rusisë është zvogëluar me dy të tretat dhe tani është nën deficitin e parashikuar buxhetor. Hapësira për manovrim është edhe më e kufizuar pasi të ardhurat nga nafta po pakësohen. Ndërsa vëllimet e eksportit mbeten të qëndrueshme nga anashkalimi i sanksioneve perëndimore, të ardhurat vjetore nga nafta kanë rënë me 19% në shtatë muajt e parë të vitit 2025. Sipas një parashikimi, të ardhurat nga nafta dhe gazi në vitin 2025 do të jenë rreth 12.5% më pak se vitin e kaluar dhe Rusia tani duhet të përballet me një trend në rënie të çmimit të një fuçie nafte. Sidoqoftë, nafta mbetet një shtyllë qendrore e ekonomisë ruse: buxheti, fitimet nga valuta e huaj dhe makro-stabiliteti varen shumë nga ajo. Tani, kjo shtyllë është nën trysninë e çmimeve më të ulëta, eksportit, sanksioneve dhe kufizimeve strukturore dhe nëse kjo trysni vazhdon apo thellohet rrezikon efekte anësore tek buxheti, rritje më të ngadaltë, inflacion etj..
Por, meqenëse Moska nuk parashikon ndonjë shtrëngim të sanksioneve, buxheti bazohet në një çmim nafte bruto prej 70 dollarësh, gati 30% më i lartë se parashikimi i Administratës Amerikane të Informacionit për Energjinë dhe shumica e bankave kryesore të investimeve. Ulja mund të jetë edhe më e egër për shkak të një pakete të re prej nëntëmbëdhjetë sanksionesh, që Bashkimi Evropian sapo ka miratuar, si dhe kërcënimeve të Shteteve të Bashkuara me sanksione të tjera. Disa javë më parë, German Gref, kreu i Sberbank, bankë shtetërore, pranoi se vendi po hyn në një “stanjacion teknik”. Ngadalësia nuk është teknike, por pasqyron një skenar shumë më strukturor dhe të paparashikueshëm.
Mungesa e fuqisë punëtore për shkak të mobilizimit, shpenzimet dhe sanksionet të lidhura me luftën (mbrojtje, ushtri, siguri kombëtare që, sipas RAND, zënë 29% të buxhetit të vitit 2025), sanksionet perëndimore, prania e reduktuar e investitorëve të huaj, rezervat e huaja të ngrira, mungesa e furnizimit dhe kapaciteti i kufizuar i prodhimit kanë shkaktuar rritje të çmimeve dhe pagave, të cilat Banka Qendrore e Rusisë është përpjekur t’i përmbajë përmes një rritjeje dramatike të normave të interesit. Sot, inflacioni ka rënë, por shtrëngimi monetar ka penguar kreditimin deri në atë pikë sa, përveç industrisë së armëve, ekonomia është në ngërç. Në afat të shkurtër (2025–‘26), rritja pritet të mbetet e ulët. Banka e Rusisë pret një rritje prej rreth 1.5-2.5% të PPBsë deri në vitin 2027. Buxheti i vitit 2026 nuk justifikon deklarimet e Putinit për një ekonomi të qëndrueshme, pavarësisht një lufte që propagandohet se po bëhet për madhështinë e Rusisë. Skenari më realist është rritja modeste: shifra të ulëta njëshifrore. Rimëkëmbja ose diversifikimi domethënës kërkojnë ndryshime politike dhe një mjedis të jashtëm më të favorshëm.
NDIHMA E BE-SË PËR UKRAINËN
BE-ja do të vazhdojë ta ndihmojë Ukrainën, sepse kjo ka të bëjë me vlerat tona, me vijën e parë të mbrojtjes, me sigurinë tonë kolektive. Kësisoj, Komisioni Evropian po vepron përmes SAFE (Plan Veprimi Financiar për Sigurinë e Europës) dhe nismave të tjera për ta sjellë Ukrainën në pozitën më të mirë të mundshëm. Po kështu, Shtetet e Bashkuara dhe NATO po bashkëpunojnë për realizimin e iniciativës PURL, Lista e Kërkesave me Përparësi për Ukrainën, për të përshpejtuar furnizimin e Ukrainës me armë dhe sisteme të posaçme për të forcuar aftësitë e saj mbrojtëse dhe për të kontribuar për një paqen të qëndrueshme. NATO do të vazhdojë të përdorë strukturat dhe mekanizmat ekzistues të Aleancës, në veçanti, programin e Ndihmës dhe Trajnimit të Sigurisë së NATO-s për Ukrainën (NSATU). Kjo iniciativë Pritet të ndahet në paketa me vlerë afërsisht 500 milionë dollarë. Përmes kësaj qasjeje, aleatët e NATO-s shpresojnë t’i sigurojnë Ukrainës armë me vlerë 10 miliardë dollarë.
Holanda u bë vendi i parë që i siguroi Ukrainës një paketë armësh prej 500 milionë eurosh, duke përfshirë pajisje dhe raketa për sistemet e mbrojtjes ajrore “Patriot”. Presidenti Trump, pas një bisede telefonike me Presidentin Putin, u tërhoq nga premtimi për t’i ofruar Ukrainës raketa “Tomahawk”. Në vend të “Tomahawk”- ëve, Presidenti pranoi të takohet përsëri me Putin për t’i dhënë fund luftës, por këtë herë në Budapest. Kërcënimi i Trump me raketat “Tomahawk”, që Ukraina do t’i përdorte kundër Rusisë e riktheu Putinin në bisedimet e paqes, të cilat Zelensky i pranoi si pikënisje për bisedime të mëtejshme. Sipas këtij propozimi, lufta do të ngrijë pak a shumë përgjatë linjave aktuale të betejës, ku Rusia kontrollon 20% të territorit ukrainas të pushtuar. Ukraina ruan sovranitetin, merr garanci të forta sigurie nga Perëndimi dhe do të ishte një lloj fitoreje për sa kohë nuk detyrohet të çarmatoset.
EPILOG
Aleanca bën të ditur se shpenzimet ushtarake po rriten me ritëm të shpejtë në Gjermani, Poloni, në shtetet nordike dhe baltike, ndërsa Britania dhe Franca vërejnë se do t’i përmbushin objektivat deri në fund të dekadës. Rishikimi i pranisë amerikane në Evropë apo “rishikimi Colby” nuk do të ketë të papritura, bile edhe Kongresi amerikan përkrah status quo-në, pasi largimi i trupave nga Evropa për në Azi apo Afrikë do të ishte shumë më i kushtueshëm. Sidoqoftë, aleatët evropianë janë të ndërgjegjshëm për dobësitë dhe boshllëqet e tyre, si: në rezervat e municioneve, mbrojtjen ajrore, që mezi arrin 5% të kërkesave të Aleancës për të siguruar qiellin e vet, avionët e rëndë të transportit, avionët për furnizim ajror, inteligjencë, mbikëqyrje, zbulim (ISR) dhe te sistemet e komandës dhe kontrollit.









