Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme miratoi një sërë vendimesh:
-Miratimin, në parim, të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Krimit Kibernetik; Forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar për luftën kundër disa krimeve të kryera me mjete të sistemeve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit dhe për ndarjen e provave të krimeve të rënda në formë elektronike, bërë në Nju – Jork, në datën 24.12.2024.
- Miratimin e Strategjisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike 2025 – 2030 dhe të planit të saj të veprimit 2025 – 2027.
-
Vendim për përcaktimin e rregullave, masës, përjashtimeve nga sanksionet dhe procedurës për mbledhjen dhe administrimin e tarifës së transmetimit të informacionit të udhëtimit.
*Ky vendim përcakton rregullat, masën, përjashtimet nga sanksionet dhe procedurën për mbledhjen dhe administrimin e tarifës, që paguhet nga transportuesit që transmetojnë informacionin e udhëtimit në sistemet e Sektorit të Inteligjencës së Udhëtimit. Vendimi zbatohet për të gjithë transportuesit tokësorë, ajrorë dhe ujorë, që operojnë në hyrje, dalje ose transit në territorin e Republikës së Shqipërisë, në përputhje me ligjin nr.38/2025, “Për përpunimin e informacionit të udhëtimit në Republikën e Shqipërisë”.
- Vendim për miratimin e Rregullave për trajtimin, shfrytëzimin, shitjen, eksportin, importin, administrimin dhe transportin e materialit drusor e të prodhimeve jodrusore pyjore, si dhe kategorizimin e rrugëve autopyjore, përdorimin dhe standardet teknike të tyre.
-Qëllimi i këtij vendimi është përcaktimi i rregullave, që lidhen me: trajtimin dhe shfrytëzimin e materialit drusor e të prodhimeve jodrusore pyjore, me synim përfitimin nga to dhe garantimin e mbarështimit të qëndrueshëm e të vijimësisë së prodhimit të Fondit Pyjor Kombëtar; shitjen, eksportin (rastet e lejuara), importin, administrimin dhe transportin e materialit drusor e të prodhimeve jodrusore pyjore, bimëve mjekësore eterovajore e tanifere natyrore (BMET); kategorizimin e rrugëve pyjore, përdorimin dhe standardet teknike, rregullat e ndërtimit, riparimit e të mirëmbajtjes së tyre; ç) përcaktimin e kritereve për shënimin me bojë të paheqshme dhe vendosjen e etiketave në prodhimet drusore.
Janë miratuar edhe dy vendime për shpronësime:
- Shpronësim për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i hapësirës së pallateve në kryqëzimin e rrugës “Kujtim Laro” dhe “Kongresi i Manastirit”, Bashkia Tiranë”.
-
Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitim, rikonstruksion i urës së Viroit”.
Gjithashtu janë bërë disa ndryshime në përbërjen e institucioneve
– Arta Dollani, drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, lirohet nga kjo detyrë.
- Herida Duro emërohet zëvendësministër i Arsimit.
– Elda Xhumari emërohet zëvendësministër i Mjedisit.
– Roland Kristo, zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, lirohet nga kjo detyrë.