Hetimet për vrasjen e pronarit grek të një kampingu dhe mikut të tij shqiptar në Finikunda po hyjnë në një fazë të re, pasi në duart e autoriteteve kanë mbërritur analizat e komunikimeve telefonike të natës fatale.
Sipas mediave greke, të dhënat e reja pritet t’u japin hetuesve një pamje më të qartë mbi thirrjet dhe numrat e përfshirë në zonën ku ndodhi ngjarja. Antenat e telefonisë celulare janë aktivizuar disa herë përpara dhe pas momentit të krimit, duke ngritur dyshime për lëvizje të tjera përreth kampingut.
Dy 22-vjeçarët e arrestuar ndodhen në paraburgim, por dëshmitë e tyre kanë mospërputhje të dukshme, çka ka shtuar dyshimet se në ngjarje mund të jenë përfshirë edhe persona të tjerë.
Burime nga policia greke bëjnë me dije se hetimet po zhvillohen në fshehtësi të plotë, ndërsa një korrespondencë e klasifikuar është dërguar nga Athina drejt Drejtorisë së Hetimit të Krimeve në Kalamata për të përshpejtuar procedurat.
Të gjitha të dhënat e deritanishme tregojnë se puzzle-i i ngjarjes po plotësohet, dhe nuk përjashtohet që në ditët në vijim të ketë urdhra të rinj arrestimi si në rajonin e Mesenisë ashtu edhe në Atikë.








