Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mori pjesë në takimin e përvitshëm të Nivelit të Lartë të Ministrave të Energjisë të Europës Qendrore dhe Juglindore, që u zhvillua në Bukuresht, nën drejtimin e Komisionerit Europian për Energjinë, Dan Jorgensen, dhe mikpritjen e Qeverisë Rumune.
Në prononcimin për mediat, Balluku theksoi se ministrat pjesëmarrës raportuan mbi përgatitjet për dimrin 2025–2026 dhe sigurinë energjetike të rajonit, veçanërisht përballë kërcënimeve që lidhen me përdorimin e gazit rus.
“Ministrat e Energjisë së Europës Qendrore dhe Juglindore u mblodhën sot në Bukuresht për takimin e përvitshëm të Nivelit të Lartë, drejtuar nga Komisioneri Europian për Energjinë, Dan Jørgensen, nën mikpritjen e Qeverisë Rumune, veçanërisht ministrit të Energjisë, Ivan.
Të gjithë ministrat kanë relatuar për situatën energjetike të rajoneve përkatëse, përgatitjet për dimrin 2025-2026 dhe mbi të gjitha sigurinë energjetike edhe nën optikën e kërcënimit që vjen nga përdorimi i gazit rus
Kam përfituar nga rasti të ndajë në këtë event një arritje të rëndësishme të Shqipërisë gjatë këtij viti, bazuar në strategjinë kombëtare për diversifikimin. Për herë të parë raporti 8 mujor për 2025-ën tregon se kemi arritur të krijojmë 10% të kapaciteteve gjeneruese nga burimet diellore, duke çuar kështu raportin total të prodhimit të brendshëm në 90% hidro dhe 10% energji diellore,” shprehet Balluku.








