Qeveria shqiptare ka nxjerrë për konsultim publik një projektligj përmes së cilit synon që të legalizojë lobimin në Shqipëri si dhe të krijojë një regjistër të lobuesve. Projektligji është produkt i një grupi pune të ngritur me urdhër të kryeministrit Edi Rama në korrik të këtij viti dhe drafti është propozuar nga ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni.
Drafti përmban 32 nene dhe parashikon Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale si institucionin përgjegjës për regjistrin e lobuesve dhe aktivitetet e lidhura me ta.
Në relacionin që shoqëron projektligjin premtohet transparencë dhe llogaridhënie. Por ligji në vetvete propozon fshehjen e të dhënave thelbësore për transparencën, përfshi fitimet e lobuesve dhe shpenzimet e tyre. Neni 11 i draftit parashikon ndër të tjera se ndërsa publikohet emri i lobuesit dhe të lobuarit, “kopjet e kontratave të lobimit, duke përfshirë periudhën dhe shpërblimin” si dhe “deklaratat periodike mbi buxhetin dhe shumat e shpenzuara për lobim” mbahen sekret.
“Të dhënat e parashikuara në pikën 3 të këtij neni mund të përdoren nga KDIMDP vetëm për qëllime verifikimi, kontrolli, raportimi statistikor ose bashkëpunimi institucional, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe sekretet tregtare,” thuhet në të njëjtin nen.
Në relacion pretendohet që drafti është në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, por ky i fundit kërkon raportime të qarta të shpenzimeve dhe përfitimeve nga lobimi. Ngjashëm, SHBA publikon të plota të dhënat financiare dhe kontratat e lobuesve me palë të treta.
Në relacion nuk ka një shpjegim mbi zgjedhjen e Komisionerit si institucion për menaxhimin e lobimit dhe regjistrit të lobuesve dhe as për kapacitetet që do të duhen ngritur. Ndërkohë në vende anëtare të BE-së si Gjermania apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kontrolli i lobimit bëhet nga vetë ligjvënësit.
Bashkimi Evropian ka një Sekretariat të posaçëm mes Parlamentit dhe Komisionit Evropian, në SHBA lobuesit raportojnë dhe regjistrohen në zyra të posaçme në Kongres dhe Senat dhe Bundestagu kontrollon lobimin në Gjermani. Vende të tjera ia kanë besuar këtë proces institucioneve të posaçme të specializuara kundër korrupsionit.
Ligji po ashtu parashikon një afat minimal për ish-zyrtarët, që pasi lënë detyrën, përfshihen në lobim. Sipas draftit, atyre u ndalohet lobimi për dy vjet vetëm në fushat e përgjegjësisë dhe institucionet në varësi.
Përtej kësaj, relacioni është kontradiktor. Në të thuhet se “Ky dokument shënon një nga pikët hyrëse të grupkapitullit “Themeloret” në kuadrin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, por njëkohësisht edhe që “ky projektligj nuk synon përafrim me acquis”.
Lobimi përkufizohet si një përpjekje e organizuar e grupeve të interesit, si bizneset, sindikatat, apo OJQ-të, për të ndikuar dhe bindur zyrtarët e qeverisë ose ligjvënësit për çështje të caktuara. Qëllimi është të sigurojnë që vendimet politike dhe ligjet e reja të jenë në favor të kauzës ose interesave të tyre specifike.
Në Shqipëri nuk ka pasur deri tani rregullime për këtë fushë, megjithatë raporte të organizatave ndërkombëtare dhe investigime kanë gjetur një sërë rastesh të të ashtuquajturave ligje me porosi./ BIRN








