Ish-kandidati për deputet i PD-së, Aulon Kalaja shkruan në Facebook se kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e ka kallëzuar për shpifje.
“Ka disa kohë që i kam bërë thirrje Erion Veliajt që një herë në jetën e vet, nëse do t’i bënte të paktën një nder Shqipërisë, është që të fliste, ato që di për Edi Ramën.
Por Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, nuk ka paditur Kryeministrin Edi Rama dhe siç duket nuk ka ndërmënd të bëlbëzojë për të, por më ka paditur mua në gjykatë, për shpifje! Por të gjithë e dinë që unë nuk kam shpifur kurrë, sepse nuk jam nga ai soj! Varet më kë është mësuar.
Nëse mendon se me të tilla metoda, mund të më friksosh, gabohesh! Unë nuk kam pyetur për bandat dhe shefat e tu, jo më për lepurusha epruvete. Përballë do më kesh dhe përpara do të kem. Harroje se unë bëj marveshje. Lufta ime është publike dhe pa kompromis. Je mësuar me të tjerë.
Askënd nuk kam vrarë. Askujt nuk i kam prish shtëpinë. Asnjë taksë nuk kam vjedh. Askujt nuk i kam futur dorën në xhep. Askujt nuk i kam ngritur kurth. Askënd nuk kam paguar. Askënd nuk kam kërcënuar. Dhe mbi të gjitha jam njeri i lirë dhe nuk jam në burg.
Erion Veliaj, nëse të ka mbetur një fije burrëri, të pres në gjykatë, me datë 6 nëntor. Mos mungo se do të vërtetoj çdo fjalë që kam thënë për ty! Nëse nuk vjen në gjyq, turpi të ndjekë ty nga pas…” shkruan ai.








