Me siguri e shihni se sa më shumë rritet numri i patriotëve dhe drejtuesve partiak që luftojnë për të mirën e popullit, aq më shumë shtohen autobusët me të rinjtë tanë që shtegtojnë nëpër metropolet Perëndimore.
Dhe ata të rinj me vete marrin kujtimet nga vendlindja që nuk i deshi dhe vetveten e dëshpëruar që do i shoqërojë kudo që të shkojnë dhe me këdo që të jenë.
Pa dyshim se e keni vërejtur se sa më shumë shtohen xhamitë me shumë minare ku falen drejtuesit tanë partiak pa din e iman që thirren në Zot e në fe, aq më shumë shtohet numri i politikanëve hajdutë të veshur me petkun properëndimorë dhe proamerikanë?
Dhe këta politikanë i drejtojnë shoqëritë tona ku bamirës më të mëdhenj janë narkodilerët dhe ku spektakle më të shikuar televizivë janë ato ku fukarenjtë e vajtojnë varfërinë e vet e ku grumbulluesit e kontributeve bamirëse pasurohen nga mjerimin i hallexhinjve skamnorë.
S’ka si mos ta keni dëgjuar proverbin se të vetmin që kurrë nuk mund ta zgjosh nga gjumi është ai që shtiret se është duke fjetur.
Me çka e dini se mëkot i shpjegoni çka do qoftë atij që shtiret se as sheh as dëgjon gjë nga ajo që është duke ndodhur rreth nesh.
Është e pamundur mos të dini gjë lidhur me të gjitha që u thanë më lartë, por ju ato i heshtni ngaqë nuk e dini se heshtja e të vërtetave është gënjeshtra më e madhe.
Dhe me këtë nuk e keni kuptuar se jo politikanët, por ne jemi gënjeshtarët më të mëdhenj të vetvetes, me çka edhe shtiremi që nuk e dimë se nuk duhet të jetosh në një vend ku votuesi kushton më lirë se një dele, aty ku nga çdo kund ulurin pakënaqësia, por ku është pllakosur heshtja.
Heshtje që simbolizon vdekjen e një shoqëria, heshtja që tregon se aty jetojnë shumë pakë njerëz e shumë të maskuar si të tillë.








