Deputeti Ivi Kaso tha në Kuvend se mënyra e drejtimit të kryetarit Niko Peleshi po e shndërron institucionin më të lartë të vendit në një organ pa zë dhe pa dinjitet.
Ai theksoi se kërkesa për shkarkimin e Peleshit nuk është aksion politik i zakonshëm, por një përpjekje për rikthimin e standarteve institucionale dhe mbrojtjen e funksionimit të Kuvendit si organi më i lartë i vendit.
“Sot nuk jemi thjesht për të bërë debat, por për të adresuar një situatë ku Kuvendi po rrezikon të kthehet në një institucion formal, pa zë dhe pa dinjitet. Ky problem nuk vjen nga ndonjë krizë e jashtme, por nga mënyra se si drejtohet ky institucion nga kryetari Peleshi. Në dy seanca të shtatorit, vetëm pak ditë pas betimit mbi Kushtetutë, ai ka kryer një sërë shkeljesh të përsëritura dhe të qëllimshme, që jo vetëm kanë mbyllur zërin e opozitës, por kanë cenuar autoritetin e organit më të lartë të shtetit. Kjo nismë nuk ka për qëllim ndëshkimin e një individi, por rikthimin e standarteve institucionale. Procedura nuk mund të përdoret për të mbyllur gojën e opozitës; kur ndodh kështu, nuk është më procedurë, por abuzim,” shprehet Kaso.









