Kreu i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, akuzoi PS dhe PD-në për një marrëveshje të fshehtë për të ndryshuar Kushtetutën dhe eliminimin e partive të reja, duke i cilësuar veprimet e opozitës si një farsë. Sipas tij, opozita po bën sikur është kundër qeverisë, ndërkohë që në të vërtetë po bashkëpunon për të zhbërë alternativat e reja politike.
“Opozita dhe mazhoranca ditën e hënë kanë rënë dakord që të ndryshojnë Kushtetutën dhe të zhdukin alternativat e reja. Kjo është një farsë. Të bëjnë sikur zihen dhe të manipulojnë opinionin publik është një teatër i radhës, ku interesi i qytetarëve dhe lufta kundër Ramës ka rënë,” tha Shehaj.









