Kërkimet për ndërtesën shtatëkatëshe që u shemb në Stamboll përfunduan tragjikisht. Ekipet e shpëtimit gjetën trupat e Levent Bilir 44 vjeç dhe bashkëshortes së tij Emine 37 vjeçe rreth orës 3 të mëngjesit të së enjtes.
Më herët, ishin gjetur të pajetë edhe dy fëmijët e tyre, Emiri 12-vjeçar dhe Hairunisa 14-vjeçare, ndërsa vajza më e madhe, Dilara 18 vjeç u shpëtua gjallë nga rrënojat.
Në operacionin që zgjati 19 orë morën pjesë 913 shpëtimtarë, me 161 automjete, 6 qen kërkimi dhe 10 makina speciale. Pas ngjarjes, autoritetet evakuuan 12 ndërtesa të tjera pranë zonës, ku jetonin 45 familje, për arsye sigurie.








