Një 20-vjeçar nga Kamza u arrestua pasi mbante dhe përdorte në mënyrë të paligjshme uniformën policore, duke dalë në rrugë i veshur si punonjës policie.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e patrullës së Komisariatit të Policisë Nr. 5, gjatë kontrolleve të zhvilluara në bulevardin “Nënë Tereza” në Tiranë, kanë konstatuar një automjet tip “Mercedes-Benz”, me drejtues shtetasin E. B., 20 vjeç, i cili ishte i veshur me uniformë dhe stema të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit.
Pas ndalimit dhe verifikimit, rezultoi se i riu nuk ishte punonjës policie, ndërsa më pas hetimet u shtrinë edhe në banesën e tij në Kamëz.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi një sërë materialesh të dyshuara të falsifikuara dhe pajisje policore, përfshirë:
-4 dokumente identifikimi me emra dhe fotografi të dyshuara të falsifikuara;
-1 armë sportive të llojit pistoletë me 2 krehra;
-1 uniformë të Policisë së Shtetit;
-16 stema dhe grada të ndryshme;
-3 kapele me shenja të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit.









