Kryeministri Edi Rama foli online në Samitin e Zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke theksuar përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE dhe optimizmin e vendit për të arritur këtë objektiv brenda vitit 2030.
Rama u shpreh se vendi ynë ka marrë një kalendar ambicioz, por të zbatueshëm, dhe se Shqipëria është e gatshme të përshpejtojë procesin, duke theksuar humoristikisht se është “kombi më euro-optimist në botë”.
Ai foli gjithashtu për ministren e Inteligjencës Artificiale, Djellën, duke nënvizuar se lufta kundër korrupsionit do të jetë sistemore dhe e bazuar në modernizim, jo thjesht raste individuale.
Rama theksoi se reforma në drejtësi është unike për rajonin dhe nuk pranon leksione nga jashtë, ndërsa për sistemin digjital të prokurimeve tha se brenda 2027 synohet implementimi i plotë i inteligjencës artificiale.
“Një afat që vjen si rezultat i një përllogaritjeje shumë të thjeshtë. Së bashku me komisionin në konsensus kemi rënë dakord mbi një kalendar shumë ambicioz por i bëshëm detyrash shtëpie për të mbyllur anëtarësimin. Pastaj koha mesatare që kemi vlerësuar kur vjen për ratifikimin e parlamentit është 2 vjet. Kështu parashikohet që Shqipëria të ulet në tryezën e BE-së në 2030. Por nuk jemi kundër të jemi atje dhe më shpejt. Kur bëhet fjalë për rajonin do bija dakord, gjithsecili ka rrugëtimin e vet dhe të përmbushë detyrat e veta të shtëpisë. Ka karakteristika të ndryshme në rajon. Ka vende të ndryshme. Kur vjen fjala te ne e them me zë të lartë jemi kombi më euro-optimist në botë, apo ashtu siç do thoshte Donald Trump, në tokë,” shprehet Rama.








