Partia Mundësia ka denoncuar zv.kryeministren Belinda Balluku ku kjo e fundit vijon të mbajë akoma detyrën edhe pse është nën hetim nga SPAK për abuzimet me tenderat.
Nga ana tjetër ka reagur me një deklaratë edhe deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri ku akuzon kryemintrin Edi Rama se u del në mbrojtje të hapur zyrtarëve të korruptuar dhe në hetim nga organet e drejtësisë.
Deklarata e plotë e Kaprit:
Të nderuar qytetarë,
Nuk ka më dyshime. SPAK ka vënë në shënjestër Edi Ramën. Janë kërcënuar prokurorët e SPAK-ut. Altin Dumani vetë tha para dy ditesh se presioni është i përditshëm, kërcënimet ndaj prokurorëve kanë shkuar deri në rrezik për atentate.
E gjithë kjo është shoqëruar me censurë dhe heshtje të orkestruar. Ne denojmë me forcë sulmet ndaj SPAK-ut dhe i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të ngrejë zërin pa vonesa.
Dhe çfarë bën Edi Rama? Kërkon haptas lirimin e Erion Veliajt dhe mban në krah Belinda Ballukun.
Maskat ranë. Të gjitha ato, dekretet e Presidentit, zgjedhjet, rrëzimet, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ishin vetëm një lojë për të shpëtuar njerëzit e tij, që Rama të shpëtojë veten e tij.
Edi Rama nuk po lëshon hajdutët e vet; ai po i mbron ata me çdo mjet, deri te përdorimi i Gjykatës Kushtetuese si një armë për t’i nxjerrë të lirë.
Ka nisur hapur lufta e të korruptuarve kundër SPAK-ut. Këta janë njerëzit që duan të mbysin drejtësinë, që duan t’i shpëtojnë dënimit dhe të vazhdojnë të vjedhin shqiptarët.
Ne, Partia “Mundësia”, jemi dhe do të jemi në krah të drejtësisë. Nuk do të dorëzohemi. Do të luftojmë deri në fund kundër çdo hajduti, çdo pushtetari dhe Edi Rames që ka vjedhur dhe mendon se mund të blejë drejtësinë.
Kjo është beteja më e rëndësishme e Shqipërisë sot: beteja mes të ndershmëve dhe të korruptuarve. Unë besoj se shqiptarët e ndershëm nuk do të heshtin, e në fund, fiton e drejta.
I bëjmë thirrje partnerëve tanë ndërkombëtarë: mos mbyllni sytë. Shikoni çfarë po ndodh në Shqipëri, një pushtet që po përpiqet të shkatërrojë drejtësinë për të shpëtuar veten.
Faleminderit!








