Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar me ashpërsi ndaj deklaratave të qeverisë për rritjen e pagave, duke e konsideruar atë propagandë dhe jo një ndihmë reale për familjet shqiptare që përballen me rritje të çmimeve.
“Qeveria pranoi rritjen e çmimeve, por ofron vetëm çikërrima si rritje pagash dhe pensionesh. Këto nuk kanë asnjë lidhje me realitetin që përjetojnë familjet shqiptare. Ekonomia shqiptare është e kapur në pak duar dhe prodhon vetëm për një pakicë, ndërsa shumica e qytetarëve përballen me rritje çmimesh, ulje të fuqisë blerëse dhe mungesë mbështetjeje reale nga shteti. Nuk mundet që çikërrimat e fundit të vitit të quhen mbështetje, dhe një familje që shpenzon 40% të buxhetit vetëm për ushqime nuk mund të trajtohet si histori suksesi nga propaganda qeveritare. Rritja e çmimeve dhe varfërimi i qytetarëve janë realiteti i vërtetë i buxhetit të vitit të ardhshëm, jo premtimet për një ‘vit të administratës’ apo ‘vit të pensionistëve’,” deklaron Tabaku.









