Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka bërë të ditur se deri më tani gjatë procesit zgjedhor janë evidentuar vetëm dy problematika: një rast në Cërrik që lidhet me sjelljen e një vëzhguesi dhe një diskutim në Vlorë mes kryetares së qendrës së votimit dhe operatorit për procedurat e identifikimit.
Të dy rastet po verifikohen nga KQZ për të përcaktuar saktësisht se çfarë ka ndodhur.
Celibashi gjithashtu ka komentuar pjesëmarrjen e ulët të të rinjve në zgjedhje, duke theksuar se ky trend nuk është i veçantë për Shqipërinë, por ndodh edhe në vende të tjera të Europës dhe botës.
“Nuk rezulton të ketë problematika të mëdha në zhvillimin e procesit zgjedhor. Janë raportuar vetëm dy raste, një në Cërrik lidhur me sjelljen e një vëzhguesi, dhe një në Vlorë ku ka pasur një diskutim mes kryetares së qendrës së votimit dhe operatorit për procedurat e identifikimit. Të dy rastet po verifikohen për të përcaktuar me saktësi situatën. Sa i përket pjesëmarrjes së të rinjve, ky është një trend që shihet edhe në vende të tjera europiane dhe globale; për këtë arsye, duhet që partitë politike, organizatat e shoqërisë civile dhe të gjithë aktorët e përfshirë të punojnë për t’i nxitur ata të angazhohen dhe të marrin pjesë aktivisht në procesin zgjedhor,” shprehet Ilirjan Celibashi








