Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka theksuar nevojën për një angazhim të vazhdueshëm dhe konsistent nga Shqipëria në procesin e integrimit evropian.
Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e hapjes së Shkollës së Integrimit Europian, ai e vuri theksin te rëndësia e realizimit të reformave me cilësi dhe në kohë, duke siguruar që ky proces të mos mbetet vetëm një listë detyrash, por të jetë një transformim i vërtetë dhe i qëndrueshëm për vendin.
“Urgjenca e reformave në kuadër të anëtarësimit në BE nuk duhet dhe nuk mund të vijë në kurriz të cilësisë, sepse integrimi në BE nuk është një proces ku ke një listë e ku shënjon detyrat. Presim që Shqipëria të arrijë reforma konsistente,” tha Gonzato gjatë fjalës së tij në Shkollën e Integrimit Europian.
Ai gjithashtu theksoi se mbyllja e grup kapitujve do të jetë një fazë më sfiduese për Shqipërinë, duke e konsideruar këtë proces më të vështirë se sa çelja e tyre:
“Shqipëria po hyn në një proces themelor të anëtarësimit, që vijon çeljen e të gjithë grupkapitujve. Së shpejti do të çelim edhe grupkapitullin e fundit. Edhe pse çelja e tyre është një arritje e qartë që është përftuar me një shpejtësi të jashtëzakonshme, faza tjetër do të jetë vendimtare, do të jetë më e vështirë pasi mbyllja e kapitujve të negociatave është qartësisht më e vështirë se sa çelja e tyre.”
Gonzato theksoi se Shqipëria duhet të vazhdojë të shpejtojë ritmin e reformave dhe t’i zbatojë ato në mënyrë të qëndrueshme për të përmbushur ambicien e saj për të mbyllur negociatat deri në vitin 2027.
“Kjo është koha kur vullneti dhe aftësia e Shqipërisë për të miratuar dhe zbatuar reformat rrënjëosre dhe të qëndrueshme për të harmonizuar veten me standardet e BE-së do të vihet në sprovë. Raporti shprehet se Shqipëria duhet të ruajë e madje të shpejtojë ritmin. Kjo është e nevojshme nëse Shqipëria dëshiron të përmbushë qëllimin e vet ambicioz për të mbyllur negociatat deri në fund të 2027.”









