Kreu i PD-së, Sali Berisha komentoi pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike edhe zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit, ku në të pesta bashkitë kandidatët e pavarur që mbështeti opozita humbën përballë rivalëve socialistë.
Ndër të tjera ai falënderoi të gjithë kandidatët e pavarur për guximin e treguar, duke sqaruar se PD nuk i do ti bojkotojë zgjedhjet.
“Falenderoj përzemërsisht kandidatët e pavarur për guximin e treguar dhe kjo faktoi se Shqipëria është në farsë elektorale, diktaturë totalitare dhe Shqipëria po njihet e tillë.
Qytetarët dhe të gjithë e panë, ishte vetëm farsë elektorale. Ne nuk ishim në zgjedhje, në ishim në mbështetje të tyre, dhe ky nuk ishte bojkot nga ana jonë, jo.
Ne bëmë thirrje për qytetarët që të votonin dhe mbështetëm kandidatët e pavarur”, tha Berisha mes të tjerash.
Për arsyet pse PD nuk vendosi kandidatët e saj në këto zgjedhje, kreu i selisë blu shpjegoi se ata kishin studiuar veprimet e partisë shtet dhe narkoshtetit, duke konstatuar se ata bëjnë vetëm farsa elektorale, që i kishin denoncuar hapur.
Megjithatë ai deklaroi se opozita nuk do dorëzohet në betejën e saj, për të luftuar regjimin.
“Ishin disa veprime të studiuara mirë se kjo qeveri zgjedhje nuk bën dhe kjo e provoi. Unë mendoj se farsa duhet luftuar, se në farsë nuk ka zgjedhje”, tha Berisha.









