Koalicioni Shqiptar pro Familjes dhe Jetës i ka bërë thirrje Presidentit të Republikës që të mos dekretojë ligjin për barazinë gjinore, i miratuar së fundmi në Parlament me 77 vota.
Sipas tyre, ky ligj kërcënon familjen, kushtetutën dhe të drejtat natyrore të qytetarëve, duke futur një ideologji të huaj në institucionet shqiptare.
Pastori Akil Pano e cilësoi ligjin si “antifamilje”, “antiliri” dhe “anti-Zot” dhe paraqiti një listë me 30 arsye pse Presidenti duhet ta refuzojë.
“President, mos dekreto ligjin antifamilje, anti liri, anti Zot, ligjin për censurën, ligjin për dehumanizimin e shqiptarëve, ligjin i cili do të indoktrinojë fëmijët shqiptarë nëpërmjet ideologjisë gjinore në shkolla. Kjo është kauza e familjes, kauza e Shqipërisë.”
Koalicioni argumenton se ligji imponon kuota gjinore mbi bazë ideologjie, jo meritash, dhe kërcënon lirinë e ndërgjegjes, lirinë e shprehjes dhe funksionimin e drejtësisë. Ata paralajmërojnë se miratimi i tij do të krijojë standarde të rrezikshme sociale dhe institucionale në vend.









