Diplomati i pensionuar amerikan, Christopher Hill po vazhdon dëshminë e tij në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë. Hill ka qenë i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Përgjatë dëshmisë së tij, diplomati Hill është duke pohuar atë që ka thënë edhe më herët nëpër transkripta, se nuk besonte që Jakup Krasniqi ishte një nga figurat kryesore në UÇK. “Kjo ishte përshtypja ime”, ka thënë shkurt ai.
Përveç Thaçit, gjyqi në Hagë po mbahet edhe kundër Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës së viteve 1998-1999, kur ishin pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të katërtit i hedhin poshtë akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm.









