Gilmando Dani 36 vjeç mbeti i vrarë mesditën e kësaj të marte pranë aeroportit të Rinasit, pasi u qëllua me breshëri plumbash. Dani, ishte një emër i njohur për drejtësinë, po ashtu, i njohur për lidhjet e tij shoqërore me Emiljano Shullazin.
36-vjeçari ka rënë pre e atentateve edhe dy herë të tjera, në vitin 2011 si dhe në 2015. Vetëm një vit më parë, në tetor 2024 ai u lirua nga burgu.
Dani ishte personi i fundit që u lirua nga burgu nga grupi i Shullazit. Në momentin e vrasjes Gilmando Dani, hipi në makinën e Ervis Kosovës, që drejtohej nga Muçi Sheqeri, një agjent i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, drejtori kjo që është në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Grupi i Emiljano Shullazit kishte disa konflikte të hapura. Aktualisht hetimet e policisë janë duke u kryer në disa drejtime të ndryshme, ndërsa pista kryesore është ajo e larjeve të hesapeve mes bandave kriminale.









