Denar Biba, kreu i Autoritetit të Konkurrencës, ngriti shqetësimin mbi kushtet e punës në institucionin që drejton, duke theksuar mungesën e ambienteve të përshtatshme dhe problemet higjienike që prekin stafin.
Ai paralajmëroi se situata është bërë e papërshtatshme për punonjësit, sidomos për gratë që duhet të përdorin një tualet të përbashkët.
“Ky institucion është krijuar në 2004 me 13 punonjës dhe sot kemi 49, por jemi në po të njëjtat ambiente. 35 zonja shkojnë në një tualet të përbashkët, është banale që po e them, por nuk mban më. Nuk ka arkiva, muret janë plot me dosje, dhe nuk kemi ku t’i ruajmë”, tha Biba gjatë seancës dëgjimore në Komisionin për Nismat Qytetare për buxhetin.








