Policia e Tiranës ka arrestuar një 37-vjeçar, i dyshuar për disa vjedhje me thyerje, pas një hetimi disa-ditor që çoi në lokalizimin e tij.
Ndriçim Koka, banues në Tiranë, rezulton i dënuar më parë në Greqi për të njëjtin lloj krimi.
Sipas policisë, më 8 nëntor ai ka kryer një vjedhje në një banesë në rrugën “Artan Lenja”, duke marrë rreth 12 milionë lekë, ndërsa më 19 tetor kishte grabitur një kioskë në rrugën “Muhamet Gjollesha”, ku kishte marrë produkte me vlerë rreth 50 mijë lekë.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, forcat e rendit sekuestruan një sasi lënde narkotike të dyshuar Cannabis, mjete të forta që përdorte për thyerjet, veshjet e përdorura gjatë kryerjes së vjedhjeve dhe prova të tjera materiale që lidhen me ngjarjet.
Policia vijon hetimet për të zbuluar nëse 37-vjeçari ka kryer edhe vepra të tjera kriminale.








