Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Kushtrim Xhemaili ka deklaruar që nuk kanë votë për Glauk Konjufcën, duke iu përgjigjur kryetarit të degës në Prizren, Besnik Krasniqi.
Krasniqi gjatë ditës së djeshme me një status në Facebook u shpreh se AAK-ja duhet ta shqyrtojë votimin e Konjufcës.
“Aleanca duhet ta shqyrtojë me përgjegjësi mundësinë e bashkëpunimit, sidomos nëse kjo hap rrugën për stabilitet institucional, shmang zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe zgjidh njëherë e mirë çështjen e presidentit.
Nëse VV dhe Konjufca janë të sinqertë në këtë drejtim, unë besoj se Aleanca dhe kryetari Haradinaj do të dinë të marrin vendimin e duhur, si gjithmonë kur është fjala për të mirën e Kosovës”, kishte shkruar ai.
Por zëdhënësi i AAK-së ka thënë se këto ide do duhej të paraqiteshin fillimisht brenda strukturave të partisë në mbledhjen që u mbajt të enjten e ku Krasniqi kishte munguar.








