Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka akuzuar Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, se po zvarrit prej 47 ditësh betimin e gjyqtarit të zgjedhur të Gjykatës Kushtetuese, Asim Vokshi, duke bllokuar në këtë mënyrë funksionimin e institucioneve të drejtësisë.
Sipas Bardhit, ky është një veprim i paprecedentë që cenon pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjin për funksionimin e saj.
“Presidenti prej 47 ditësh ka marrë peng procedurën e betimit të gjyqtarit Asim Vokshi, duke futur në ngërç kushtetues vetë Gjykatën Kushtetuese,” deklaroi Bardhi.
Ai akuzoi Begajn se po vepron politikisht në favor të kryeministrit Edi Rama.
“Bajram Begaj i ka shërbyer vetëm interesave të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste qysh ditën e parë në detyrë,” vijoi ai.
Bardhi kërkon ndërhyrje urgjente nga Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese për të ndalur atë që e quan “përdhosje të autoritetit të institucioneve më të larta të drejtësisë”.
“Një president i papërgjegjshëm po vepron i marrë peng nga Rama, për të mbuluar aferat e tij të paligjshme dhe korruptive,” përfundoi Bardhi.









