Një 48-vjeçare ka ndërruar jetë në banesë e saj në lagjen 15 të qytetit të Korçës.
48 vjeçarja Gentiana Nano u dërgua në urgjencën e spitalit të Korçës dy ditë më pare pasi kishte shfaqur probleme në frymëmarrje, ndërsa është trajtuar në shërbimin e urgjencës dhe është dërguar më pas në shtëpi.
Mëngjesin e sotëm bashkëshorti dhe djali i saj e kanë gjetur të pajetë në një dhomë të shtëpisë.
Pas kësaj situate tragjike ka reaguar djali i saj Erdiol Nano duke hedhur akuza ndaj mjekëve se nuk kanë treguar kujdesin e nevojshëm, ku dhe e kanë nxjerrë shpejt nga spitali.
“Mami thoshte që nuk jam mirë, e ndjej veten të lodhur dhe kam rrahje të larta të zemrës. E çuam në spital, ju bënë kontrollet, i thanë që kishte anemi, i dhanë disa mjekime dhe u larguam. Ajo vazhdonte të thoshte që nuk ndihem mirë por doktorët s’na thanë asgjë dhe e nxorën. Si mundet të lesh një njeri të largohet kur ai të thotë nuk ndihem mirë?
Ditën tjetër përsëri tha që s’jam mirë dhe lajmëruam ambulancën. Na thanë që e ka tensionin e ulët, rrahjet e zemrës të larta dhe i bënë tre gjilpëra. Gjatë ditës mami ankohej sërish që nuk ishte mirë.
Dua të di përse mjekët nuk na thanë çfarë duhet të bënim? Pse nuk e lanë në spital por e nxorën? Si e lanë të ikte nga spitali në atë gjendje? Sot më ndodhi mua, nesër mund ti ndodhë dikujt tjetër”, u shpreh ndër të tjera djalëi i saj Erdiol Nano.
Policia e Korçës po merret me deklarimet e familjarëve, nga ana tjetër trupi i 48-vjeçares do t’i nënshtrohet autopsisë për të përcaktuar shkakun e vdekjes.








