Sot në orën 18:00, në stadiumin “Air Albania”, Shqipëria përballet me Anglinë në ndeshjen e fundit të Grupit K të kualifikueseve të Kupës së Botës 2026.
Të dyja skuadrat i kanë arritur objektivat: Anglia ka siguruar vendin e parë dhe biletën për Botërorin në Amerikën e Veriut, ndërsa Shqipëria ka garantuar pjesëmarrjen në fazën play-off, ku më 20 nëntor do mësojë kundërshtarin për gjysmëfinalen e 26 marsit 2026.
Pritet atmosferë festive me rreth 22 mijë tifozë në stadium, në një sfidë që shihet më shumë si një “miqësore luksi”. Policia ka marrë masa të forta sigurie, ndërsa hyrja në stadium nis që prej orës 15:00.
Historikisht, Anglia ka fituar të shtatë përballjet me Shqipërinë, duke shënuar 21 gola dhe pësuar vetëm një. Forma e kuqezinjve këtë vit është pozitive me gjashtë fitore dhe dy barazime pas humbjes së fundit pikërisisht ndaj Anglisë, në mars 2025. Anglia mbetet skuadra më e fortë e grupit, me shtatë fitore në shtatë ndeshje dhe asnjë gol të pësuar.








