-sidi education-spot_img
10.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Augustin Palokaj: Garanci për integrim në BE nuk ka – mundësi reale po

Kryesoret

Ditët kur Komisioni publikon paketën vjetore të zgjerimit janë periudhë në të cilën fokusi ndaj këtij procesi është i jashtëzakonshëm. Për këtë paketë zhvillohen debate në Parlament, në media, në organizata të shoqërisë civile, nëpër universitete. Secili e ka një lexim të vetin dhe interpretim të atyre dokumenteve që i publikon Komisioni Evropian. Qeveritë e vendeve për të cilat janë shkruar raportet e progresit nxjerrin pikat pozitive dhe injorojnë ato negative. Opozita e bën të kundërtën.

Për të bërë një vlerësim real të raportit të progresit duhet fokusuar në tri kritere. I pari është kur në secilin kapitull Komisioni vlerëson nivelin e përgatitjes. I dyti është niveli i progresit në përmbushjen e rekomandimeve nga raporti i vitit të kaluar. Dhe kriteri i tretë janë notat të cilat i jep Komisioni nga “Nuk ka progres”, “Progresi i limituar“, “Pak Progres“ e deri te “progres shumë i mirë“. Ndodh edhe që për disa vende të ketë edhe “prapakthim“ siç ndodhi këtë vit në Raportin për Serbinë dhe atë për Gjeorgjinë. Vetëm kur me kujdes lexohen raportet sipas këtyre kritereve mund të thuhet se a ka qenë raporti i mirë apo jo.

Për nga natyra, raportet e tilla janë pozitive. Sepse, siç thotë edhe emri, ato gjithmonë shënojnë progresin, sado i vogël që të jetë ai. Dhe asnjë shtet nuk guxon të kënaqet me notat “s’ka progres“ apo “progres i limituar“ apo se “rekomandimet nga viti i kaluar janë përmbushur vetëm pjesërisht“. Sepse këto vlerësime tregojnë se është humbur kohë.

Një lexim i kujdesshëm i raporteve të këtij viti e nxjerr më së miri Malin e Zi pa asnjë dyshim. Shumica e notave për këtë shtet janë “progres shumë i mirë“ dhe “progres i mirë“. Raporti për Shqipërinë nuk është aq pozitiv sa do të mund të fitohej përshtypja nga deklaratat pozitive. Shqipëria ka rrallë aty-këtu “progres të mirë“, ka shumë hapësira ku progresi nuk është i madh dhe ka madje edhe raste ku nuk ka pasur progres.

Në rastin e Shqipërisë duhet ndarë dy gjëra. Së pari duhet ditur se kur thuhet se Shqipëria ka bërë “progres të pa precedencë“ mendohet vetëm në dinamikën me të cilën janë hapur kapitujt. Dhe kjo është evidente. Nëse Shqipëria për pesë vjet nuk e hap asnjë kapitull, pastaj për një vit i hap të gjithë kapitujt, natyrisht se progresi është i pa precedencë. Por kur lexohet përmbajtja e raportit të progresit shihet një realitet tjetër. Ai në këtë moment nuk duket si një raport i cili do të garantonte mbylljen e të gjitha kapitujve brenda dy vjetësh, pra deri në fund të vitit 2027. Shqipëria duhet ta trefishojë punën në përmbushjen e kushteve nëse vërtet dëshiron t’i realizojë ambiciet për mbylljen e të gjithë kapitujve brenda dy vjetësh. Sfida më e madhe do të jetë në muajt në vijim kur Komisioni Evropian duhet të nxjerrë një raport për përmbushjen e kritereve kalimtare nga kapitujt për sundimin e ligjit. Sipas metodologjisë së zgjerimit, asnjë kapitull nuk mund të mbyllet pa raportin pozitiv për kapitujt famozë 23 dhe 24. Madje nuk mund të mbyllen as kapitujt për të cilën nuk negociohet fare.
Maqedonia e Veriut padyshim se ka qenë me vite viktimë e pengesave politike. Dhe ajo, sikur të mos ishin këto pengesa, do të lëvizte shumë shpejt. Por realiteti është se ajo edhe në përmbajtje e jo vetëm në hapjen e kapitujve është shumë prapa Shqipërisë. Në Raportin për Maqedoninë e Veriut ka numër të konsiderueshëm të kapitujve ku nuk ka progres apo ka progres të limituar. Kjo dëshmon se kur qeveria e atij vendi e di se pa marrë parasysh progresin nuk do të hapë kapituj, sepse ka pengesa politike, atëherë ngecin edhe reformat dhe përmbushja e kritereve. Serbia është tregim në vete dhe ajo ka pasur raportin më negativ prej kur është nisur në rrugëtimin drejt BE-së.
Kosova ka një raport progresi real. Edhe po ta kishte shkruar vetë Qeveria e Kosovës nuk do të mund të dilte më i mirë. Sepse askush nuk mund ta mohojë se Kosova ka ngecur për shkak të ngërçit politik dhe përçarjes që ka prodhuar fushata permanente para dhe paszgjedhore. Bile Raporti duket mirë si ka mundur të jetë.

Realisht pra Mali i Zi është duke iu afruar momentit kur mund të besohet në mbylljen e negociatave në një periudhë të shkurtër. Nëse angazhohet më shumë në punë, e jo vetëm në aspektin politik, edhe Shqipëria ka mundësi për dy a tre vjet ta përmbyllë procesin negociator. Ndërsa të gjitha vendet e tjera të rajonit duken shumë larg. Kosova madje as nuk e ka nisur rrugëtimin drejt BE-së.

Ukraina dhe Moldavia janë një tregim tjetër dhe për to vlejnë kriteret e tjera, sado që në Bruksel mundohet të thonë se nuk është ashtu dhe se kriteret janë të njëjta për të gjithë.

Tash debati për zgjerimin nga Komisioni do të bartet në Këshill ku disponimi nuk është aq pozitiv sa në Komision. Ka akoma vende anëtare që janë skeptike dhe ka të tilla që kërkojnë rezultate edhe në reformat e brendshme të BE-së para se të zgjerohet.

Komisioni disa herë e ka shtyrë Raportin për efektin e zgjerimit të ardhshëm. Duhet pasur kujdes, sepse nuk e ndajnë të gjithë në BE entuziazmin e Komisionit Evropian dhe të disa shteteve anëtare sa i përket zgjerimit.

Nuk do të jetë njëjtë për BE-në nëse do të bëhej anëtar i ri Mali i Zi që ka banorë më pak sesa gjysma e Brukselit apo Ukraina që është dhjetë herë më e madhe sesa Kroacia. Ka shumë argumente në favor të zgjerimit dhe mund të dëshmohet qartë se edhe vendet e  tashme edhe vendet e reja anëtare do të kishin dobi nga zgjerimi. Por brenda BE-së ka forca që janë kundër zgjerimit dhe ato do t’i keqpërdorin disa të dhëna për të nxitur frikë dhe për ta rritur kundërshtimin.

Po të zgjerohej BE-ja me të gjitha vendet nga procesi i zgjerimit, pa llogaritur Turqinë, Bruto Prodhimi Vendor për kokë banori do të ulej për 9 për qind. Përnjëherë shumë vende të BE-së që sot janë të varfra, sipas mesatares, do të bëheshin të pasura. Në vend se të mburren me këtë ato do të kërkojnë që të vazhdojnë të përfitojnë nga fondet e kohezionit, që janë fondet më të mëdha për vendet anëtare nga buxheti i BE-së. Dhe BDP për kokë banori është kriter. Zgjerimi do t’i bënte kontribuuese neto në buxhetin e BE-së e jo përfituese neto.

Këto janë dilema të cilat janë duke u diskutuar, jo aq me zë, por pa dyshim me një kujdes. Dhe kjo shkon në favor të Malit të Zi dhe Shqipërisë, sepse pranimi i këtyre dy shteteve në BE nuk do të paraqesë ndonjë sfidë të madhe as nga aspekti i buxhetit e as ai institucional. E në anën tjetër, duke i pranuar ato në BE do të dëshmonin se zgjerimi është vërtet i mundshëm. Dhe këtë dëshmi BE-ja duhet ta japë pasi kanë kaluar gati 13 vjet prej kur ka ndodhur zgjerimi me pranimin e Kroacisë.

Jo vetëm se nuk ka pasur zgjerim të BE-së nga 1 korriku i vitit 2013, por prej atëherë ka ndodhur zvogëlimi i saj me largimin e Britanisë së Madhe. Por garanci nuk ka se zgjerimi do të ndodhë në një moment të caktuar. E vendet që aspirojnë të bëhen anëtare mund të ndihmojnë më së shumti duke i përmbushur kriteret, duke u zhvilluar ekonomikisht dhe duke qenë partnere të besueshme të BE-së. / koha

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit