“Degradim i skajshëm i jetës politike dhe institucionale në Kosovë” – kështu e përshkruan Albert Krasniqi nga organizata Demokraci Plus përpjekjen e dytë të dështuar të Kuvendit të Kosovës për të votuar Qeverinë e re.
Ai thekson se politikanët po vendosin interesat personale dhe partiake mbi ato të shtetit, duke treguar një mungesë të qartë të përgjegjësisë dhe përkushtimit ndaj qytetarëve që i kanë zgjedhur.
“Kjo tregon për një nivel të ulët të përgjegjësisë së klasës politike në vend, pa dallim, pushtet dhe opozitë. Të gjithë e kanë peshën e vet të fajit”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.
Kuvendi i Kosovës dështoi më 19 nëntor të miratojë Qeverinë e re, e cila do të udhëhiqej nga Glauk Konjufca i Lëvizjes Vetëvendosje.
Pro formimit të Qeverisë sipas propozimit të Vetëvendosjes votuan 56 deputetë, 4 abstenuan, ndërsa 53 ishin kundër.
Kjo ishte përpjekja e dytë e Vetëvendosjes për të formuar Qeverinë, pas dështimit të mandatarit të parë, Albin Kurti, më 26 tetor.
Sipas Kushtetutës, nëse Qeverinë nuk arrin ta formojë as mandatari i dytë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duhet t’i shpallë zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e shpalljes.
Radio Evropa e Lirë pyeti Zyrën e Presidencës për kohën e mundshme të shpalljes së zgjedhjeve, por nuk mori përgjigje.
Belgzim Kamberi, nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokolari”, nuk është optimist se zgjedhjet e reja mund të sjellin një zgjidhje reale për ngërçin politik.
“Mbetet të shihet se në çfarë pozicionimesh dhe me çfarë narrativësh politikë do të hyjnë partitë shqiptare në zgjedhjet e ardhshme, sepse shumica e aktorëve janë pothuajse të njëjtë. Nuk kemi një klimë të jashtëzakonshme që do të mund të ndryshonte rrënjësisht përfaqësimin parlamentar”, thotë Kamberi për Radion Evropa e Lirë.
Kosova ishte në rrugë krize që prej zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Vetëvendosje fitoi shumicën e votave, por jo mjaftueshëm për të formuar Qeverinë vetëm.
Kuvendi vonoi të konstituohej për rreth gjashtë muaj për shkak të mosmarrëveshjeve politike, ndërsa procesi u sfidua disa herë në Gjykatën Kushtetuese.
Bashkësia ndërkombëtare – përfshirë kryediplomatin gjerman, Johann Wadephul, të fundit – theksoi vazhdimisht nevojën që Kosova të ketë një qeveri të qëndrueshme sa më shpejt që të jetë e mundur.
Sipas Kamberit, muajt e fundit nuk është parë një përfshirje e madhe e faktorit ndërkombëtar, i cili, “në një mënyrë ose tjetër, ka qenë gjithmonë i përfshirë në ndërtimin e qeverive të Kosovës”.
“Mospërfshirja ndërkombëtare nuk e ka ndihmuar procesin, sepse nuk është arritur të krijohet një shumicë parlamentare”, sipas tij.
Kamberi shton se pas zgjedhjeve të reja, dhe me zgjedhjen e presidentit që pritet në pranverë, është e vështirë të parashikohet formimi i një qeverie pa dy partitë kryesore shqiptare.
Sipas tij, mbetet gjithashtu e paqartë se cilat do të ishin këto dy parti dhe nëse do të mund të bashkëpunonin pa lehtësimin e faktorit ndërkombëtar.
“Pra, këto zgjedhje duhen parë si mundësi për të provuar paradigma të reja, për të shmangur një bllokim të ri”, shton ai.








