Gjykata e Posaçme vendos që seanca e verifikimit të kushteve për masën ndaj Belinda Ballukut do mbahet nesër ditë e shtunë, ora 09:00. Për mbajtjen e seancës janë njoftuar SPAK dhe të dyshuarit, Balluku dhe dy zyrtarët e tjerë Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.
“Ju njoftojmë se pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me datë 22.11.2025, ora 09:00 do të zhvillohet seanca gjyqësore për marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve dhe kritereve të caktimit të masës dhe nevojat e sigurimit për të pandehurit Belinda Balluku, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, në kuadër të procedimit penal nr. 136, të vitit 2025, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, thuhet në njoftim.
Një ditë më parë Struktura e Posaçme Anti Korrupsion njoftoi se Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit vendosi masën e sigurisë pezullim nga detyra, dhe ndalimin e daljes jashtë vendit për zv/kryeministren, njëkohësisht dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe arrest shtëpie për dy zyrtarët Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.
SPAK bën me dije se Balluku në cilësinë e ministres ka orientuar zhvillimin e tenderëve në mënyrë të kundërligjshme për tunelin e Llogarasë dhe Lotin e Katërt të Unazës së Madhe deri në momentin e lidhjes së kontratës me operatorin ekonomik fitues.









