-sidi education-spot_img
8.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Blushi: Shqipëria u përmbyt nga korrupsioni, jo nga moti

Kryesoret

Përmbytjet e ditëve të fundit dhe dëmet e mëdha të shkaktuara në disa qarqe të vendit kanë nxitur debat të fortë politik. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, akuzoi qeverinë se ka dështuar në menaxhimin e emergjencave dhe se fondet publike po shkojnë për afera korruptive në vend që të përdoren për mbrojtjen e qytetarëve.

Në një deklaratë për mediat, Blushi tha se situata e rënduar nga reshjet është pasojë e keqadministrimit dhe mungesës së investimeve në mbrojtjen civile, ndërsa përmendi edhe shifrën 75 milionë euro, që sipas tij janë abuzuar në projektin e tunelit të Llogarasë.

Reagimi i plotë i Tedi Blushit:

“Sot është pothuajse e pamundur të gjesh një rajon në Shqipëri që nuk po përballet me pasoja dramatike nga reshjet e ditëve të fundit.

Shqiptarët duhet ta dinë se këto përmbytje nuk janë dënim nga Zoti, por pasojë direkte e papërgjegjshmërisë, keqadministrimit dhe korrupsionit skizofrenik të Qeverisë së Edi Ramës, që për emergjencat civile akordoi për këtë vit vetëm 55 milion euro, ndërkohë që vetëm për aferën e tunelit të Llogarasë bashkëvodhi me Belinda Ballukun 75 milionë euro.

Nga Veriu në Jug, dhjetëra familje janë zgjuar sot pa shtëpi, me bagëti të ngordhura dhe me biznese e toka të përmbytura, ndërsa strukturat shtetërore mungojnë plotësisht dhe i kanë lënë qytetarët në mëshirë të fatit.

Shqipëria sot është nën ujë sepse qeveria zgjodhi të financojë afera korruptive në vend të mbrojtjes së jetës dhe pronave të qytetarëve.

Në vend që të drejtonte Shtabin e Emergjencës dhe t’i vinte në ndihmë familjeve në nevojë, Kryeministri zgjodhi edhe sot të mbajë leksione kushtetuese për të mbrojtur ish–Zv.Kryeministren Belinda Balluku, të lidhur me aferën e tunelit të Llogarasë, ku bashkëvodhën 75 milionë euro, 20 milionë më shumë se i gjithë buxheti vjetor për emergjencat civile.

Nëse këto fonde do t’i shkonin mbrojtjes së qytetarëve, Shqipëria sot nuk do të ishte e përmbytur, dhe njerëzit nuk do të humbnin shtëpitë, pronat dhe bagëtitë e tyre.

Ndërsa situata rëndohet nga ora në orë, Kryeministri po dëshmon se prioriteti i tij nuk është interesi publik, por mbrojtja e aferave korruptive”.

SITUATA NË QARQE

Qarku Korçë

Ka shënuar viktimën e parë si pasojë e reshjeve dhe mungesës së mbështetjes nga shteti. Dhjetëra fshatra si Lumalas, Bulgarec, Shamoll, Çiflig, Turan, Vloçisht dhe Sovjan janë nën ujë. Në Pustec, fshati Shulin është pothuajse i përmbytur i gjithi. Në Pogradec, disa lagje janë të izoluara, ndërsa rrëshqitjet e dherave kanë bllokuar qarkullimin në Dardhas, Rëmnje dhe Çërrave. Në Kolonjë, dëmtimet serioze të urave kanë izoluar dhjetëra fshatra.

Qarku Lezhë

Mbi 220 ha tokë janë nën ujë. Situata rëndohet nga dëmtimi i argjinaturave dhe dalja jashtë funksionit e hidrovoreve. Në Lagunën e Vainit, ndarja e ushqimeve dhe evakuimi i banorëve është bërë pothuajse i pamundur. Edhe në Kurbin e Mirditë, përmbytjet, dëmtimet e rrugëve dhe mungesa e strukturave të emergjencës kanë krijuar një situatë

Qarku Vlorë

Niveli i Vjosës në Novoselë ka kaluar 7.65 metra. Në Delvinë, Finiq e Konispol, dhjetëra fshatra janë të izoluara nga dherat.

Qarku Fier

Rritja e niveleve të Vjosës dhe Semanit ka sjellë përmbytje të mëdha në Kashisht, Çerven dhe Ferras, me mbi 110 ha tokë dhe qindra banesa të përmbytura.

Qarku Dibër

Veçanërisht në Bulqizë, rrëshqitjet e tokës kanë bllokuar akset kryesore. Në Urakë dhe Ulzë, rritja e nivelit të ujit rrezikon dhjetëra banesa.

Qarku Shkodër

Në Fushë-Arrëz, Qafë Mali është zona më problematike. Në Malësi të Madhe, rritja e prurjeve të përroit të Thatë rrezikon qindra familje.

Qarku Berat

Lumi Osum ka dalë nga shtrati pa marrë asnjë masë parandaluese, duke përmbytur lagje të tëra në Berat, Kuçovë dhe Dimal.

Qarku Gjirokastër

Në Dropull, prishja e urës që lidh disa fshatra të gjithë zonës po detyron banorët të rrezikojnë jetën duke përdorur rrugë alternative. Në Libohovë ura e Suhës ka dalë jashtë shërbimit, ndërsa në Përmet rruga Frashër–Përmet është dëmtuar rëndë.

Qarku Elbasan

Në Gramsh janë bllokuar disa segmente rrugore, përfshirë Kodovjat–Mashan dhe Gramsh–Moglicë. Edhe aksi Elbasan–Peqin është aktualisht i bllokuar.

Partia e Lirisë me vendosmëri u bën thirrje Ministrisë së Mbrojtjes dhe Rezervave të Shtetit, pa vonesë, të përgatisin urgjentisht ndihmat e domosdoshme ushqimore për familjet, që u janë përmbytur shtëpitë.

Ministria e Bujqësisë, menjëherë të dërgojë pranë banorëve në nevojë, bazën aq të nevojshme ushqimore dhe koncentratet për bagëtitë.

Ministrat përgjegjës për Mbrojtjen Civile të vendosin komunikimin konstant me strukturat vendore dhe publikun për parapërgatitje e reagim, për prioritetin absolut: sa më pak dëme në prona e bagëti dhe pa diskutim mbrojtje të çdo jete njerëzore.

Të garantohet funksionimi me kapacitet të plotë i hidrovoreve dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar të monitorojë situatën në të gjitha akset, ku ka potencial rrezikshmërie për rrëshqitjen e tokës, me qëllim shmangien e aksidenteve, si dhe të marrë masa urgjente për hapjen e çdo segmenti të bllokuar.

Të raportohet periodikisht për situatën, në mënyrë që qytetarët në zonat e rrezikuara të mos gjenden para të papriturave të motit dhe të vlerësohen me shumë seriozitet paralajmërimet e Institutit të Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit.

Mbrojtja e jetës dhe pronës së qytetarëve duhet të jetë prioritet absolut dhe çdo neglizhencë e mëtejshme, papërgjegjshmëri dhe shpërdorim detyre nga strukturat e ngarkuara me ligj për mbrojtjen e tyre duhet të ndëshkohet me të gjithë fuqinë e ligjit”.

 

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit