Pas reshjeve intensive që përfshinë Qarkun e Gjirokastrës, situata ka degraduar në mënyrë dramatike, duke shkaktuar përmbytje, rrëshqitje dherash dhe izolim të fshatrave.
Partia Demokratike e qarkut ka reaguar ashpër, duke denoncuar mungesën e masave efektive nga qeveria dhe rrezikun e vazhdueshëm për banorët dhe ekonominë lokale.
Deklarata:
Zëdhënësi i PD dega Gjirokastër. Armando Rabaj denoncon:
situatën kaotike që ka përfshirë Qarkun e Gjirokastrës ditët e fundit, për shkak të reshjeve të dendura.
Ku ka nxjerrë në pah edhe një herë propagandën boshe të kësaj qeverie, e cila prej vitesh merret vetëm me fasadë dhe jo me investime reale në infrastrukturën rrugore, bujqësore dhe energjitike.
Rrugët nacionale në të gjithë qarkun janë kthyer në një rrezik serioz për qytetarët. Rrëshqitjet masive të dherave, shembjet e skarpateve dhe përmbytjet e segmenteve të tëra rrugore tregojnë dështimin e ARRSH-së së Jugut, e cila është inekzistente në terren dhe e paaftë të garantojë standardet minimale të sigurisë. Investimet e shumëpromovuara rezultuan thjesht propagandë, ndërsa sot qytetarët janë të bllokuar dhe të rrezikuar.
Tokat bujqësore në gjithë qarkun janë nën ujë. Vreshtaria, pemtaria dhe kulturat e tjera bujqësore janë goditur rëndë, duke shkaktuar dëme të mëdha ekonomike për familjet që mbijetojnë nga puna e tokës.
Blegtorët janë lënë në mëshirë të fatit, sepse ura të dëmtuara prej vitesh, të parestauruara dhe të pa mirëmbajtura, kanë bllokuar lëvizjen e bagëtive dhe furnizimet e nevojshme.
Mbi 10 fshatra të Bashkisë Dropull rezultojnë të izoluar. Ura e Glines është e rënuar, pa asnjë perspektivë ndërhyrjeje nga institucionet përgjegjëse.
Në Libohovë–Suhë–Pogon lëvizja është gjithnjë e më problematike.
Në Lazarat, segmenti i rrugës së Spilos është dëmtuar duke krijuar bllokim te ketij segmenti.
Në këtë situatë, pushteti vendor dhe ai qendror janë kthyer në spektatorë. Institucionet shtetërore nuk japin asnjë përgjigje, asnjë masë, asnjë kujdes real për qytetarët e ndershëm që po përballen me dëme të mëdha dhe rrezik të vazhdueshëm.
Braktisje totale.
Papërgjegjshmëri kriminale.
Asnjë plan, asnjë ndërhyrje, asnjë zgjidhje.
Partia Demokratike e Gjirokastrës i bën thirrje qeverisë dhe gjithë strukturave shtetërore të marrin menjëherë masa emergjente, të garantojnë sigurinë e qytetarëve, të ndërhyjnë në zonat e dëmtuara dhe të hapin rrugët që sot janë shndërruar në kurthe për jetën.
Qytetarët e qarkut Gjirokastēr nuk meritojnë braktisje.
Ata meritojnë siguri, investime të vërteta dhe një qeveri që punon, jo një pushtet që merret vetëm me propagandë.
Faleminderit!









