Ditën e djeshme kreu i PD Sali Berisha u emërua zv.president i CDI, unionit më të madh të partive të djathta në botë, pas kësaj me anë të një postimi në facebook deputeti i PD Besart Xhaferri është shprehur se rezoluta e miratuar nga CDI ekspozon nevojën për qeveri teknike.
Postimi i plotë i Xhaferrit
4 miliardë euro u pastruan në ndërtim dhe blerje votash me para droge, rezoluta e CDI damkos Narkoautokracinë dhe ekspozon nevojën për qeveri teknike!
Nga Brazili, ku shumë kartele shqiptare që nisin ngarkesa kokaine drejt vendeve të BE, Asambleja e Unionit të Qendrës së Djathtë, CDI, ka miratuar rezolutën e pestë për Shqipërinë, e cila e damkos vendin tonë si një Narkoautokraci që përbën rrezik edhe për vetë Bashkimin Evropian.
Rezoluta thekson se CDI vëren me alarm infiltrimin e krimit në institucionet e shtetit, përfshirjen e trafikantëve të njohur dhe rrjeteve kriminale në kontrata publike, zhvillim turistik dhe procese zgjedhore.
Nga ana tjetër, rezoluta evidenton se Eurostat dhe studime të pavarura konfirmojnë pastrim masiv parash në sektorin e ndërtimit në Shqipëri, në rreth 4 miliardë euro investime të pajustifikuara në sistemin formal bankar.
Me këto para shumë grupe kriminale kanë blerë vota, duke diktuar deputetët e tyre në Parlamentin e Shqipërisë.
Injektimi i parave të drogës ka deformuar ekonominë, duke falimentuar sipërmarrësit e ndershëm dhe duke mjeruar familjet shqiptare dhe shtresën e mesme.
Nga ana tjetër, rezoluta e CDI damkos edhe drejtësinë e re, pasi dënon ndjekjet penale dhe arrestimet me motiv politik të drejtuesve të opozitës në vitin elektoral, përfshirë Sali Berishën, Ilir Metën, deputetin Ervin Salianji dhe Fatmir Mediun, të cilat ODIHR i vlerësoi si faktorë që kontribuan në një klimë përplasjesh, mosbesimi dhe drejtësie selektive, duke penguar pjesëmarrjen e lirë dhe të barabartë të opozitës në procesin politik.
Rezoluta ekspozon regresin dramatik të demokracisë dhe domosdoshmërinë për një qeveri teknike, e cila është e vetmja garanci për një garë të barabartë elektorale.









