Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, përmes një postimi në faqen e tij facebook ka komentuar zhytjen e pallateve të Durrës Marina, me dhjetëra centimetra, duke e cilësuar projektin porti i “arabit” si kështjellë në rërë.
Ky postim ka ardhur pasi Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) këtë të mërkurë e ka pranuar, përmes një deklarate zyrtare, se dy objekte të projektit ‘Durrës Marina’ në Portin e Durrësit kanë pësuar ulje në strukturë gjatë fazës së ndërtimit.
Postimi i Bylykbashit
Porti i “arabit” si kështjellë në rërë
Korrupsioni shqiptar prodhon çudira. Porti i “arabit” asfiksoi portin e Durrësit. As turqit e sulltanit nuk e quajtën dot “Limani i Durrësit”, por ia doli “arabi” i Ramës që t’i heqë Durrësit portin e ta quajnë Porti i Arabit
Planifikohen qindra miliona euro që t’u merren shqiptarëve me taksa për portin e ri në Porto Romano, por nuk dihet kur fillojnë punimet.
Projekti i portit të marinës së “arabit”, që do 20 vite të mbarojë, nuk njihet për ato dyqind e ca postet e jahteve, por për 12 mijë apartamentet luksoze që po u zhyten themelet që me dy pallatet e para.
Ama, nëse gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, megakorrupsioni i Ramës me portin e Durrësit i ka themelet në rërë dhe ujë deti. Gënjeshtra del shpejt. Themelet në ujë zhyten shpejt.
Specialistët e patën paralajmëruar me kohë që themelet nuk do të mbanin. Ja prova!
Sot doli edhe IKMT-ja, që u detyrua të pranojë skandalin, por duke e zvogëluar për ta minimizuar. Burimet e gazetarisë investigative thonë që zhytja është më e madhe se ajo që thotë IKMT-ja. Pra, jo thjesht skandali është më i rëndë, por rreziku është më i madh.
As deti dhe as tërmeti nuk do ta falin batakçillëkun e Ramës.
Vodhën votat, vodhën paratë e taksave të bashkisë së durrsakëve që ia falën “arabit” dhe, në fund, vjedhin edhe ata që i gënjyen dhe paguajnë shuma të majme mbi projekte në letër e themele në ujë.









