-sidi education-spot_img
10.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ksenofon Krisafi: Alfabeti që hodhi themelet e bashkimit gjuhësor të shqiptarëve

Kryesoret

Të nderuar kolegë, studiues, dhe të pranishëm,

Kemi ardhur sot këtu në qytetin e bukur të Manastirit, që, së bashku edhe me shqiptarë të tjerë nga Shqipëria, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Kosova, të kremtojmë përvjetorin e një dite të madhe në historinë e shqiptarëve, kur, 117 vjet më parë, kongresi i përfaqësuesve nga të gjitha trojet shqiptare, miratoi alfabetin e gjuhes shqipe. Eshtë ngjarje e madhe për shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës, të atyre që ndodhen në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Luginën e Preshevës, Mal të Zi, Greqi dhe në diasporë.


Historia e gjuhës shqipe është njëkohësisht historia e shqiptarëve, është rrugëtimi i gjatë i tyre përmes sfidave për mbijetesë, identitet, bashkim kulturor e kombëtar.

Çdo komb në historinë e vet ka ngjarje që marrin tiparet e hapit themelor, që shënon kthesën drejt vetëdijes dhe bashkimit. I tillë ishte Kongresi i Manastirit, i nëntorit të vitit 1908, që vendosi përfundimisht alfabetin e gjuhës shqipe dhe bashkë me të edhe fatin e gjuhës sonë të shkruar, duke kontribuar për të ardhmen e kombit dhe hapjen e rrugës së bashkimit kombëtar të shqiptarëve.

Edhe pse mbledhje gjuhëtarësh e dijetarësh, mori vlerat e një kuvendi kombëtar me rëndësi, që do të shërbente për përgatitjen e terrenit për shpalljen e pavarësisë, sepse në themel të tij qëndronin motive politike, kulturore dhe kombëtare, efektet pozitive të të cilëve do të ndjeheshin shumë shpejt.

I shpallur zyrtarisht dhe solemnisht si alfabeti i gjuhës shqipe dhe i shndërruar shumë shpejt në standardin e pranuar në të gjitha trevat, ai i dha gjuhës sonë një pamje të vetme, një identitet të qartë dhe hapi rrugën drejt bashkimit shpirtëror të të gjithë shqiptarëve. Ishte gjithashtu akt politik, që riafirmoi dëshirën e kombit shqiptar për të hyrë në rrugën e dijes dhe të qytetërimit evropian si shtet i pavarur.

Kur flasim për gjuhën shqipe dhe alfabetin e saj, nuk mund të mendohet se ua rrisim vlerat duke përçmuar ose nënçmuar gjuhën e popujve të tjerë. Si rregull gjuha ka si mision themelor të bashkojë njerëzit dhe popujt dhe jo t’i ndajë, duke mbjellë urrejtje e armiqësi. Prandaj është e udhës që  ta vlerësojmë dhe ta duam gjuhën tonë, ta ruajmë e ta mbrojmë, pa qenë nevoja të biem në folklorizëm, duke sajuar legjenda e mite të panevojshëm.

***

Alfabeti i Kongresit te Manastirit nuk ishte i pari. Shkrimi shqip përmendet qysh në vitin 1332, në një dokument kishtar katolik të shkruar nga arqipeshkivi katolik frëng Guljem Adam (Guillaume Adam) ose nga murgu gjerman Brokard (Brocardus Teutonicus). Historia e alfabeteve të mëpasme të shqipes lidhet me ndikimin fetar tek shqiptarët. Shkrimtarët nga viset veriore nën ndikimin e Kishës Katolike, përdornin alfabetin latin, ata nga viset jugore, të ndikuar nga Kisha Ortodokse, alfabetin grek, kurse të tjerë, nën ndikimin e Islamit, alfabetin arab. Përgjatë viteve 1750-1850 pati përpjekje për të krijuar një alfabet origjinal shqiptar. Gjon Buzuku, Lek Matrenga, Pjetër Budi, Frang Bardhi dhe Pjetër Bogdani, që jetuan në shekujt XVI-XVII, shkruan me alfabetin latin. Ai vazhdoi të përdorej në veri deri në fillimin e shek. XX.

Thuhet gjithashtu se ekzistonin më së paku tre alfabete, alfabeti i Elbasanit, qe mendohet se i përket shek. XVII (dëshmohet në një dorëshkrim prej 60 faqesh), alfabeti i Beratit, (i gjetur midis viteve 1731-1735, në tre fragmente, në hapesirën Fier–Voskopojë–Elbasan) dhe alfabeti i Todhrit, i gjetur në Elbasan (ne nje material me rreth 800 faqe) etj. Ato ishin vazhdë e përpjekjeve të Rilindjes Kombetare shqiptare, të konkretizuara në shkollën e parë shqipe, në shkollën e vashave etj. në lëvizjet kulturore dhe shoqëritë atdhetare, si “Bashkimi” në Shkodër dhe në Manastir, “Agimi” në Shkup etj.

Prandaj thuhet se në themelet e shkollës, gjuhës dhe alfabetit shqip, janë kontributet e rilindasve tanë të mëdhenj si Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri, Kostandin Kristoforidhi, Naum Veqilharxhi, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Parashqevi Qiriazi, Petro Nini Luarasi, Nikolla Naço, Koto Hoxhi, Pandeli Sotiri, Mihal Grameno, Kristo Dako, Shahin Kolonja, Mid’hat Frashëri dhe shumë rilindasve të tjerë, të cilët e kishin kuptuar se pa një alfabet të njësuar, nuk mund të kishte gjuhë kombëtare, shkollë shqipe, as shtet të pavarur. Ata u bënë nxitës të idesë se gjuha është themeli i kombit, alfabeti është çelësi që e mban atë gjallë dhe bashkimi i kombit duhej të niste prej tyre.

***

Klubi shqiptar “Bashkimi”, i Manastirit me pëlqimin edhe te klubeve të tjera shqiptare, mblodhi Kongresin e Manastirit, në këtë qytet, i cili në atë kohë ishte qendër e rëndësishme kulturore dhe arsimore. Ishin të pranishëm 32 delegatë me të drejtë vote deliberative dhe 18 pjesëmarrës pa të drejtë vote, të cilët të gjithë së bashku formonin një listë të gjatë.

Në krye prinin personalitete të njohura, intelektualë dhe veprimtarë të shquar si Luigj Gurakuqi, At Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Hil Mosi, Kristo Luarasi, Don Nikollë Kaçori, Faik Konica,  Mit’hat Frashëri, Parashqevi Qiriazi, Gjerasim Qiriazi, Gjergj Qiriazi, Shahin Kolonja, Sotir Peci, Dhimitër Buda, Dhimitër Berati, Mihal Grameno, Bajram (Bajo) dhe Çerçiz Topulli dhe shumë të tjerë.

Ata përfaqësonin shqiptarët e katër vilajeteve dhe trevave shqiptare, nga Shkodra në Janinë, nga Kosova në Çamëri, nga Italia, Turqia, SHBA-ja, nga kolonitë shqiptare të Bukureshtit, Sofjes, Egjiptit etj si dhe nga bashkësitë fetare shqiptare – myslimanë, katolikë dhe ortodoksë – duke dëshmuar një unitet të jashtëzakonshëm për kohën dhe për sfidat e mëdha politike dhe kulturore.

Ishte një skenar i ngjashëm me atë të 30 vjetëve më parë në Prizren, kur po zhvillonte punimet Lidhja Shqiptare. Aty gjithashtu disa qindra trima të mendjes, penës dhe të pushkës, u mblodhën për të hedhur themelet e shtetit të parë modern shqiptar.


Kongresi zgjati nga 14 deri më 22 nëntor 1908. Pati si moto thënien e Sami Frashërit, që “Shenja e kombesise eshte gjuha, çdo komb mbahet nga gjuha. Kur nje komb humb gjuhen humb edhe veten.” Kryetar i tij u zgjodh Mid’hat Frashëri, ndërsa Komisionin për Çështjen e Alfabetit e drejtoi At Gjergj Fishta.

Në përmbyllje, siç thuhet në dokumentacionin e Kongresit, u arrit vendimi historik, miratimi i një alfabeti kryesisht latin, i pasuruar me disa shenja të veçanta për tingujt e shqipes.

Në tekstin e vendimit lexohet se “Komisioni mbi çështjen e “Abecesë” doli me vendimin:

“Pas që u-kënduan verbalet e ditëve t’jera e pas që e pamë se puna që kishim bërë ishte mjaft e madhe, po jo aqë sa të na kënaqte të gjithëve e t’i shërbente si përparimit të gjuhës, si të përhapurit të diturisë ndër ne, të shtyrë edhe nga disa shkaqe të përjashtme, u-këthyem prapa e me pëlqim të të gjithëve u-vendos që të mirret Abeja e Stambollit e me të bashkë edhe Abece fjesht latine, që të mësohen e të përdoren bashkarisht në mest të Shqypëtarëvet. Mësimi ndë shkollë do të jetë i shtrënguar e i detyrueshëm për të dyja.”

U miratuan edhe vendime të tjera të rëndësishme për standardizimin e shkrimit dhe përgatitjen e mësuesve për të përdorur alfabetin e ri në shkollat shqiptare, botimin e librave dhe teksteve shkollore në gjuhën shqipe sipas alfabetit, krijimin e një baze për shtypin shqiptar, inkurajimin e gazetave dhe revistave që të publikonin artikuj në gjuhën e njësuar.

Kongresi ishte nën vëzhgimin e autoriteteve osmane, të cilat interesoheshin për ta sabotuar, prandaj edhe një pjesë e punimeve të tij u zhvilluan në fshehtësi. Konkluzionet e diskutimeve të këtyre seancave u përfshinë në një Program Kombëtar, prej 18 pikash, të cilat përmbanin të shprehur avancimin çështjes kombëtare shqiptare drejt fazës përfundimtare. Ato përmbanin edhe kërkesën për autonominë e Shqipërisë dhe njohjen e gjuhës shqipe.

Deputeti i Korçës, Shahin Kolonja, pjesëmarrës në Kongres, ia paraqiti programin Parlamentit osman në emër të popullit shqiptar. Sa më sipër konfirmohet edhe nëpërmjet një njoftimi të konsullit rumun në Stamboll, i cili shkruan se “në një nga mbledhjet në përbërje  të ngushtë të punës të Kongresit shqiptar, nga krerët e tij caktohet qartë Programi politik i shqiptarëve”. Aty pohohej, “se qëllimi i shqiptarëve nuk ishte vetëm problemi i shkollave, hapja dhe zhvillimi i tyre në gjuhën shqipe, por problem kyç për ta ishte njohja e kombit shqiptar nga politika zyrtare e qeverisë turke dhe autonomia e Shqipërisë në kuadër të Perandorisë Osmane”.

Një nga delegatët e Kongresit shprehej se “Shqipëria tani është e lumtur, sepse është e bashkuar me anën e alfabetit, që është një nga instrumentet më të fuqishme e më të mira, për të përhapur përparimin në mes të popullit”.

Per Kongresin dhe rëndësinë, Kryetari i tij, Mid’hat Frashëri, do të shkruante në revistën “Lirija” se “ardhi një ditë e pëlqyerë për istorinë tonë, që të nisim liruar’ e papengim të punojmë për mbrodhësin’ e lumtërin’ e kombit tonë, jo me barut edhe me armë, po me kartë e pëndë, andaj kjo çështje e Abecesë lipsetë të jetë fillim, që pa atë nuku do mundim të harijmë qëllimetë tona të lartëra për mbrodhësi të gjuhësë.” Gazeta e mësipërme Kongresin do ta quante “ngjarje më rëndësi, ku shqiptarët e ardhur nga veriu, jugu, lindja e nga perëndimi, krah për krah gegë e toskë, të krishterë dhe myslimanë, kuptuan se vërtet paska një komb i cili ishte i gjallë”. Po ajo shkruante se “Mbledhja e Manastirit na rrëfeu neve fuqinë tonë, ashtu edhe botës i tregoi qenien  dhe rrojtjen  e një kombi shqiptar”.


Miratimi i alfabetit shqip pati ndikim të menjëhershëm në jetën kombëtare dhe kulturore të shqiptarëve. Ai i dha mundësi gjuhës shqipe të zhvillohej si gjuhë shkencore, letrare dhe arsimore. Për herë të parë, shqiptarët mundën të komunikonin më lehtë me njëri-tjetrin, të shkruanin libra, gazeta dhe të hartonin akte zyrtare në gjuhën e vet duke konsoliduar ndjenjën e përkatësisë kombëtare.

Shkollat filluan të përdorin alfabetin e ri, duke lehtësuar mësimin dhe komunikimin midis nxënësve nga treva të ndryshme. Libri i parë i shkollës me alfabetin e ri u përgatit shpejt dhe u shpërnda në të gjitha shkollat shqipe.

Alfabeti do të përdorej në botimet në gjuhën shqipe, e cila po zhvillohej si gjuhë letrare, shkencore dhe administrative, në shërbim të ndjenjës së identitetit dhe unitetit kombëtar.. Shqipja u shkrua në gazetat dhe revistat “Shqipëria e Re”, “Drita”, “Bashkimi” etj.

Ai inaguroi epokën e shkollës dhe shtypshkronjës shqipe, të letërsisë kombëtare të shqiptarëve dhe i dha gjuhës së tyre një bazë të qëndrueshme për zhvillimin e normës letrare dhe për përhapjen e arsimit në gjuhën amtare. Brenda pak dekadash, tekstet shkollore, gazetat, letërsia dhe dokumentet zyrtare filluan të shkruheshin në një sistem të unifikuar.

Me vendimet e Kongresit u hodhën themelet e bashkimit gjuhësor të shqiptarëve dhe u bë shpallja formale e pavarësisë kulturore të kombit të tyre nga perandoritë e huaja dhe ndikimet fetare.

Ai konfirmoi të vërtetën e madhe të lashtësisë dhe origjinës autentike të gjuhës shqipe. Alfabeti dhe shkronjat e saj janë të vetmit në botë, që kanë dëshmorët e vet. Për to dhanë jetën Teodor Haxhifilipi ose Dhaskal Todri dhe Papa Kristo Negovani, që u vranë nga armiqtë e kombit shqiptar, vetëm sepse luftonin për shkronjat shqipe.

Alfabeti shtoi dhe modernizoi urat e komunikimit gjuhësor ndërmjet shqiptarëve të veriut e të jugut, myslimanëve, të krishterëve dhe bektashinjve. Krijoi një identitet të përbashkët gjuhësor e kulturor dhe në këtë kuptim, u bë preludi i Pavarësisë së 1912-s. Sepse, siç thuhet me shumë të drejtë, pa gjuhë të shkruar nuk ka arsim, pa arsim, nuk ka vetëdije dhe pa vetëdije nuk ka liri.

Kongresi shërbeu gjithashtu edhe si një rast për afirmimin e gjuhës shqipe përtej kufijve etnikë të shqiptarëve. Kishte tashmë shumë studiues, udhëtarë, diplomat e konsuj të huaj që filluan të tregonin interes për studimin e dhe mësimin saj, çka u duk qartas edhe në një numër botimesh, një pjesë e të cilëve me shumë vlerë, kushtuar gjuhës së shqiptarëve.


Kremtimet e këtyre ditëve, na kujtojnë se gjuha dhe alfabeti shqip, janë baza e arsimit, kulturës dhe e identitetit tonë kombëtar, janë frymë që na udhëheq, gjaku që na bashkon, armë e fuqishme në betejat për ruajtjen e lirisë dhe pavarësisë, janë krenaria e shqiptarëve, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Çamëri, Luginë të Preshevës e diasporë.

Në një botë globale, ruajtja dhe kultivimi i tyre mbetet detyrë e gjithkujt. Çdo fjalë që shkruajmë në gjuhën tënë shqipe, çdo libër që botojmë, është vazhdim i asaj vepre të madhe të filluar në Manastir në fillimet e shekullit të kaluar.

Duke përkujtuar Kongresin dhe alfabetin shqip, ne nderojmë vizionin dhe përpjekjet e delegatëve dhe iu kujtojmë brezave se gjuha dhe identiteti kombëtar janë thesare të çmuara që duhet të ruhen me përkushtim. Vetëm duke qëndruar të bashkuar dhe duke respektuar trashëgiminë tonë etnike dhe kulturore mund të ndërtojmë një të ardhme të ndritur për të gjithë.

Sot e kurdoherë shqiptarët, duhet ta festojnë këtë ngjarje, si datë simbol dhe si mësim për vetëdije, bashkim, bashkëpunim, përkushtim dhe dashuri ndaj gjuhës dhe identitetit kombëtar.

Ta nderojmë, ta mbrojmë gjuhën tonë dhe të ngulisim në mëndjet tona se bashkimi i shqiptarëve nisi me bashkimin e shkronjave.


Kumtesë e mbajtur në Konferencën shkencore përkujtimore, me temen: Kongresi qe shenoi unifikimin gjuhesor te shqiptareve, organizuar në qytetin e Manastirit, më 21 nëntor 2025, nga Lidhja Shqiptare në Botë (LSHB) dhe degët e saj në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut si dhe nga Fondacioni Çamëria, Hasan Tahsini. Morën pjesë dhe referuan Ylber Durmishi, sekretar i pergjithshem i LSHB, Ksenofon Krisafi, kryetar i LSHB-AL, Alket Veliu, z.kryetar i LSHB-AL dhe kryetar i Fondacionit Çamëria, Hasan Tahsini, Rreze Masha, anetare e kryesise e LSHB-AL, Shpend Bajrami, kryetar i LSHB-MV, Shkelzen Halilaj, anetar i kryesise i LSHB-MV.

#çamiko.al

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit