-sidi education-spot_img
23.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ksenofon Krisafi: Shqiptarët dhe koalicioni antifashist

Kryesoret

Me rastin e 80 vjetorit të Kongresit të Përmetit, disa dhjetëra veteranë të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe pasardhës të tyre, nga Tirana dhe nga disa rrethe të vendit, si dhe akademikë e studiues, u mblodhën sot në sallën “Aleks Buda”, të Akademisë së Shkencave, në një konferencë shkencore dhe përkujtimore, me temën Kuvendi Antifashist i Popullit dhe i vendimeve historike. Çelja e punimeve dhe moderimi u krye nga Dr. Saemira Pino, e cila, në mbyllje të tyre bëri edhe konkluzionet.

Punimet i përshëndeti kryetari i Akademisë së Shkencave, Akademik prof.dr. Skënder Gjinushi.

Veterani i LANÇ, pedagogu ushtarak, Naxhi Zhupa mbajti kumtesën “Kalimi i formacioneve partizane në ushtri të rregullt”, studiuesi Shaqir Vukaj kumtoi për “Kongresi i Përmetit dhe fundi i të ashtuquajturave elita shqiptare”, prof. dr. Ksenofon Krisafi trajtoi kumtesën “Shqiptarët dhe Koalicioni Antifashist”, kurse akademik prof. dr. Pellumb Xhufi foli për “Viti 1944, shqiptarë mbrojtës dhe shqiptarë shitës të kufijve”.

DITA ftoi prof. dr. Ksenofon Krisafin për ta botuar kumtesën e tij.

Përpara se të filloj fjalën time, dëshiroj të ndaj me ju, të nderuar pjesëmarrës, një ndjesi emocionuese individuale. Ndodhem këtu jo vetëm me cilësinë e studiuesit për të folur për “Shqiptarët dhe Koalicionin Antifashist”, por edhe si djali i një partizani, Llukan Krisafi. Plot 80 vjet më parë, më 24 maj 1944, ai ndodhej në rrethinat e zonës së Përmetit, në përbërje të Brigadës së XII Sulmuese, e cila ishte krijuar vetëm 4 ditë më parë, në fshatin Sukë, diku afër Këlcyrës. Inagurimin e vet Brigada do ta bënte në mbrojtje të punimeve të Kongresit, për të cilin jemi mbledhur sot. Brigada, së bashku dhe me disa formacione të tjera të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare, e kreu detyrën më së miri.

Kongresi u zhvillua normalisht, përmbushi angazhimet e veta juridiko-institucionale, mori një varg vendimesh me rëndësi historike dhe krijoi organet e pushtetit te ri që po ngrihej në Shqipëri. Im atë, me shokët e vet partizanë, 80 vjet më parë, mbrojytën me armë Kongresin, sot ne studiojmë dhe mbrojmë frymën e tij për një Shqipëri të lirë dhe demokratike, të rreshtuar në krah të Botës Euro-Atllantike.


Gjatë Luftës së Dytë Botërore në emër të shqiptarëve u reklamuan dy aleanca politiko-ushtarake, njëra që i rreshtonte ata me Koalicionin e Madh Antifashist Botëror anglo-sovjeto-amerikan dhe tjetra me nazifashistët e boshtit Romë-Berlin-Tokio. Aleancën fiktive me boshtin nazi-fashist, krejtësisht të paqenë për shqiptarët, e shpallën pushtuesit me bashkëpunëtorët e vet ballisto-zogistë, të cilët i konsideruan si aleatë, që tentuan të përvehtësonin edhe atributin për të folur në emër të shqiptarëve.

Sipas tyre, aleatët e Shqipërisë ishin fashistët italianë dhe më pas nazistët gjermanë, të cilët edhe pse dërguan dhjetra mijëra ushtarë, avionë, anije, topa, tanke, pajisje, armatime etj, vranë, masakruan, dogjën e shkatërruan, gjithëçka e bënë për të mirën e shqiptarëve, për t’i shpëtuar nga komunizmi, siç shprehej në dhjetorin e 1943 Mehdi Frashëri, Kryetari i Regjencës. Për fat të keq deklarime të tilla dëgjohen edhe sot nga disa pinjollë të kolaboracionistëve të djeshëm në konferenca, shkrime ose emisione televizive. Por, disa nga këta të sotmit, ndryshe nga etërit e vet, mbajnë edhe spaleta akademike.

Kryeministri fashist Mustafa Kruja, në fjalën e mbajtur në teatrin “Savoja”, në 17 mars 1943, deklaronte se “… elementi më i rëndësishëm i bashkimit të Shqipërisë me Italinë, është regjimi fashist.” I bënte jehonë alibisë së pushtuesve, të cilët për të maskuar pushtimin e vendit dhe uzurpimin e të gjithë pushteteve në Shqipëri, shpallën të ashtuquajturit bashkim personal ose bashkim real italo-shqiptar. Për justifikimin teoriko-akademik janë përpjekur pa sukses edhe studiues italianë, si p.sh. Amadeo Gianini, Baladore Pallieri, Francesco Jacomoni, Ferdinando Salleo etj. Ka pasur edhe ndonjë shqiptar, të shfaqur në pozita të mjeruara.

Në realitet, në këndvështrimin e mirëfilltë juridiko-ndërkombëtar, ai ishte pushtim i zakonshëm, bashkim i dhunshëm hegjemonik, të cilit i mungonte çdo element dualizmi juridiko-institucional, nevojë e domosdoshme e këtyre formave të bashkimit të shteteve.

E njëjta gjë do të përsëritej në 1943 edhe nga pushtuesit nazistë, të cilët shpallën se i njohën Shqipërisë statusin e një subjekti me “sovranitet relativ”, sikurse kishin vepruar më pare edhe me Kroacinë dhe Sllovakinë. Do të ndërtonin një Shqipëri të pavarur me nismë vetjake, neutrale, të kontrolluar nga një qeveri miqësore ndaj gjermanëve, siç i kishte bërë të ditur Neubacher-it vet Hitleri.

Deklarimet e tyre demagogjike, të formuluara me terminologji në dukje impresionuese, nuk e mbulonin dot agresionin pushtues ushtarak. Ato zhvleftësohen përnjëherësh jo vetëm kur i gjykon në tërësinë e luftës së egër ndaj popullit shqiptar, por edhe kur i sheh në optikën juridiko-ndërkombëtare, siç u përmend pak më sipër.


Një grup studiuesish, disa prej të cilëve, të konvertuar abuzivisht në historian (interesant është fakti që kanë zgjedhur vetëm këtë periudhë dhe jo periudhat e tjera të historisë shqiptare), prej rreth 35 vjetësh i janë përveshur punës për të falsifikuar të vërtetat. Nëpërmjet interpretimeve spekulative për të amnistuar krimet e etërve të tyre, që u bashkuan me pushtuesit deformojnë historinë, baltosin partizanët, heronjtë, dëshmorët.

Nuk është rastësi, por strategji që synon të reabilitojë neofashizmin, neoballizmin, neolegalizmin, veprimet e kuislingëve të hershëm dhe modernë, që sulmojnë antifashizmin e shqiptarëve, këtë res communis omnium, kontributin e tyre të jshtëzakonshëm.
Prandaj opinioni shqiptar ka shprehur shqetësim se fushata e orkestruar kundër Luftës dhe Antifashizmit, nxit përçarjen kombëtare dhe inkurajon revanshin neofashist. Nuk mund t’iu kërkohet ish partizanëve ose bijve e bijave të tyre të ulin kokën, sepse ata, në atë kohë kur ishin 15-20 vjeçarë, braktisën shtëpitë, familjet, lane studimet universitare në Europë, veshën uniformën e luftëtarit, rrëmbyen pushkën e partizanit dhe dolën malit për t’i sjellë popullit lirinë.

Kurse ata që sot reabilitohen në buste e piedestale mermerësh, të vetquajtur “baballarë të kombit”, “etër të nacionalizmës shqiptare” etj, u bënë njësh me okupatorët, të cilëve iu shërbyen me besnikëri.
Këto tentativa hidhen poshtë edhe nga marrëdhëniet pozitive dhe vlerësuese që vendosën “Të Mëdhenjtë” e Koalicionit Antifashist të popujve me partizanët shqiptarë dhe me strukturat e tyre organizative dhe përfaqësuese.
Për këto marrëdhënie ka pasur komente të ndryshme. Edhe pse në përgjithësi janë konsideruar pozitive, ka pasur edhe qejfmbetje.

Nga pala shqiptare janë vënë disa herë në fokusin e qortimeve, sepse aleatët mbanin marrëdhënie edhe me përfaqësuesit e forcave të tjera politike vendase. Vlerësime të tilla u shqiptuan me theks të veçantë, sidomos pas mbarimit të luftës, kur marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, u acaruan, për shkak të përfshirjes së saj në të ashtuquajturin kamp socialist.

Injorohet fakti që aleatët kishin synimet, qëllimet dhe objektivat e tyre strategjikë në praninë dhe bashkëpunimin në Shqipëri. Në përmbushje të misionit të vet ata do të viheshin në krah të të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm të forcave të caktuara politike. Prandaj përpiqeshin vazhdimisht të tërhiqnin edhe Ballin dhe Legalitetin, për t’i detyruar të bashkoheshin në luftë kundër italo-gjermanëve. Por pa dobi, sepse krerët e ballistëve dhe zogistëve, nuk ndjeheshin aleatë as me Frontin Antifashist Nacional-Çlirimtar, as edhe me aleatët e huaj antifashistë.

Duket se synimi nuk ishte çlirimi i atdheut, por marrja e pushtetit pas lufte, sigurimi i përfitimeve personale, klanore e politike. Disa prej tyre pranuan lidhje të sforcuara, të imponuara, me misionet aleate antifashiste dhe vetëm për realizimin e objektivave të lartpërmendura. Padurimi për rikthimin në pushtet, madje pa mbaruar ende lufta, bëri që një pjesë e drejtuesve të bashkoheshin me pushtuesin, duke zënë edhe poste ministrore në qeveritë kuislinge. Prandaj edhe raportet e misioneve aleate me përfaqësuesit e Ballit dhe forcave zogiste, kanë qenë përgjithësisht të tensionuara.


Teksa refuzonin vazhdimisht bashkëpunimin me shqiptarët, me FNÇL, u përfshinë në tratativa për bashkëpunim me përfaqësues të qarqeve ekstreme edhe të disa prej shteteve fqinje. Përfunduan marrëveshjen Dalmaco-Këlcyra për të shtypur çdo lëvizje kryengritëse në Shqipërinë Jugore, hynë në demarshe për krijimin e federatës shqiptaro-greke në shkurt-majin e 1944 etj.

Është gjë e mirë që fqinjët të jenë aleatë, sepse aleancat, si rregull, sjellin paqe, solidaritet, miqësi e siguri. Por ata që i ndërmarrin këto nisma duhet të jenë mandatuar nga sovrani, nga organi kompetent, të priren nga interesat e vendit të vet, të zgjedhin partnerët e përshtatshëm, të mbështeten te normat dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare, të përcaktojnë saktë objektivat e aleancës, si dhe të fiksojnë garancitë e duhura për arritjen e qëllimeve etj.

Siç u përshkrua më lartë, kjo nuk ndodhi, prandaj edhe gjithëçka mbeti veprimtari antishqiptare. Për fatin e tyre, shqiptarët patën në krye njerëz atdhetarë, largpamës, të iluminuar, që u orientuan drejt. Kur panë se Zogu i braktisi, kurse pushtuesit iu morën lirinë dhe pavarësinë, i vranë e i shkatërruan, u përfshinë në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Të bashkuar rreth Frontit Antifashist Nacional-Çlirimtar dhe organeve të tjera me karakter antifashist, nacionalçlirimtar, nëpërmjet forumeve të Pezës, Labinotit, Përmetit, Beratit, ata zyrtarizuan objektivat për një Shqipëri të lirë dhe demokratike pas lufte.

Ndërkohë, krijuan dhe konsoliduan aleancën e vërtetë me Fuqitë e Mëdha të kohës, ShBA-në, BS, Britaninë e Madhe dhe popujt e tjerë të Koalicionit Antifashist, aleancën e shqiptarëve me Perëndimin euro-atlantik. Ishte meritë e padiskutueshme e atyre që kishin dalë në krye të LANÇ-it, të cilët u orientuan dhe punuan sinqerisht për ta institucionalizuar atë, për t’i bindur pjesëtarët e Koalicionit Antifashist të Popujve që ta merrnin në konsideratë luftën e shqiptarëve si një faktor modest, por të rëndësishëm për fatet e Luftës së Dytë Botërore.

Një e dhënë e thjeshtë, por domethënëse, ishte se veprimet luftarake të partizanëve gozhduan në territorin shqiptar rreth 130 mijë forca ushtarake italiane me të gjithë armatimin dhe municionin e duhur dhe pothuajse po kaq forca ushtarake gjermane.


Si bazë juridike e veprimtarisë, platformës, objektivave dhe njëkohësisht si inkurajim i fuqishëm për drejtuesit e LANÇ-it, shërbyen “Karta e Atlantikut” e 1941 dhe Deklarata e Uashingtonit e 1 Janarit 1942, që shënoi themelimin e Aleancës Antifashiste Botërore dhe koalicionit të madh anglo-sovjeto-amerikan. Aleatët deklaronin se në mbarim të Luftës së Dytë Botërore popujt e shtypur do të fitonin pavarësinë kombëtare.

Shqipëria nuk mundi ta nënshkruante Deklaratën e Kombeve të Bashkuara, sepse ishte e pushtuar nga Italia fashiste dhe shtetit shqiptar i mungonte statusi subjektit të së drejtës ndërkombëtare. Ndoshta do të ishte disi më e ndryshme pozita e saj juridiko-ndërkombëtare, nëse Zogu, përpara se t’ia mbathte dhe ta linte vendin në mëshirën e fatit, do të bënte aktin formal të shpalljes së gjëndjes së luftës me Italinë. Në këtë mënyrë do të binte një nga pengesat formalo-juridike që ngriheshin në atë kohë ndaj Shqipërisë. Paragjykohej se nuk iu kishte shpallur luftë fuqive të Boshtit përpara 1 janarit 1942, kur u publikua Deklarata e Kombeve të Bashkuara.

Megjithatë faktikisht shqiptarët ishin rreshtuar përkrah Koalicionit Antifashist të Popujve. Këtë e dinin dhe e deklaronin publikisht edhe aleatët e mëdhenj. Uinston Çërçill në Dhomën e Komuneve më 4 nëntor 1943, foli për aksionet e shkëlqyera të mijëra shqiptarëve që luftonin në male për lirinë dhe pavarësinë e vendit, Kordell Hull, në 28 nëntor 1943, deklaronte se luftëtarët trima shqiptarë po e vazhdojnë luftën kundër armikut nazist, apo Eduard Stetinus, në maj 1945 çmonte sakrificat e shqiptarëve për çlirimin e vendit dhe për të ndihmuar në realizimin e fitores përfundimtare kundër armikut të përbashkët etj.

Heroizmin dhe kontributet e tyre Aleatët e Mëdhenj i njohën zyrtarisht nëpërmjet Deklaratave të dhjetorit 1942, të cilat përbënin një akt publik, të personalizuar, që vinte nga Uashingtoni, Londra dhe Moska dhe që ishte një nga vendimet më të rëndësishme të periudhës së luftës për statusin e ardhshëm të Shqipërisë. Parashikohej shprehimisht angazhimi i tyre për njohjen e pavarësisë.

E ardhmja e saj politike do të vazhdonte të mbetej në rendin e ditës së Aleatëve të Mëdhenj gjatë gjithë periudhës së luftës. Ajo u bisedua në takimin sovjeto-britanik, në dhjetorin e 1941, në Moskë, ku Stalini tha se “mund (dhe jo duhet) të rimëkëmbej shteti shqiptar i pasluftës nën garancinë e fuqive të tjera”(që nuk e kishte kërkuar për vendet e tjera).
Çështja e Shqipërisë, pjesë e kompromiseve për mozaikun gjeostrategjik të të ardhmes politike të gadishullit të Ballkanit dhe Europës Juglindore, u diskutua sërish më vonë. Ajo u përmend disa herë në takimin e Jaltës, në shkurt 1945, ku do të plotësoheshin pazaret e pas Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht për ndarjen e Ballkanit në zona influence.
Martin Gilbert në librin “Churchil A Life”, jep mjaft detaje rreth bisedimeve dhe vendimeve sekrete nëpërmjet të cilave “Të Mëdhenjtë” vendosën fatet e popujve të vegjël të Ballkanit, përfshirë edhe të shqiptarëve.

Ai thotë se: “Për hir të së vërtetës historike duhet thënë se as Presidenti Ruzvelt dhe as Sekretari i Shtetit amerikan Kordel Hull, nuk u pajtuan me këtë marrëveshje të fshehtë Çërçill-Stalin, për ndarjen midis tyre të Ballkanit në zona ndikimi. Megjithatë, të mëdhenjtë kishin vendosur. Zonat e influencës dhe ndarjet e tyre ishin përcaktuar.” Ishte koha kur Albert Kamy shprehej se “sot tragjedia është e përgjithshme.”

Shqipëria u bë objekt bisede edhe në darkën e shtruar nga presidenti Ruzvelt, më 4 shkurt 1945, në Livadja të Krimesë. Siç tregon Artur Conte, pas dollisë së Çërçillit “për një paqe njëqindvjeçare”, ngriti dollinë “për paqen” edhe Stalini, i cili tha se ruajtja e saj ishte detyrë e të Mëdhenjve, sepse do të ishte qesharake që në Organizatën e ardhshme të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria të ishte e barabartë me Rusinë, se Fuqitë e Mëdha nuk janë të detyruara të derdhin gjakun për t’i çliruar. Ruzvelti u shpreh dakord që Fuqive të Mëdha u takonte përgjegjësia më e madhe që paqja të shënohej nga tre Fuqitë, po dollinë e ngriti “për respektimin e të drejtave të kombeve të vegjël”.

Artur Conte që e sjell këtë episod, shkruan gjithashtu se Stalini u shpreh a doni që ajo “të ketë të njëjtin status me Shtetet e Bshkuara? Ç’bëri Shqipëria në këtë luftë për të merituar një vend të tillë? Duhet që ne të tre të vendosim si ta mbajmë paqen në botë, paqe që do të ruhet vetëm po e ruajtëm të tre.” Kjo frymë diskutimi dhe ky episod, që të kujton Koncertin e dikurshëm të Fuqive të Mëdha, themeluar në Vjenë, në vitin 1815, nuk mund të mos shkaktojë keqardhje, por edhe çudi. Stalini nuk kishte asnjë motiv që të nënvlerësonte kontributet e Shqipërisë në Luftën Antifashiste. Rreth katër vjet më parë ai ishte shprehur pozitivisht për Shqipërinë.

Edhe qëndrimet e mëvonshme do të ishin sërish pozitive, sepse ajo, për gati një dekadë ishte ndër vendet e preferuara të ish Bashkimit Sovjetik. Atëhere?! Me sa duket nuk iu kishte shpëtuar dot simpative sllavo-ortodokse ndaj fqinjëve të Shqipërisë, në emër të të cilave, Rusia nuk e kishte patur problem të shpërfillte Shqipërinë.

Qëndrimi britanik ndaj Shqipërisë ndikohej fuqishëm nga politika greke, kishte rezerva për kufijtë me Greqinë. Kurse SHBA ishin shprehur qartë në favor të pavarësisë së Shqipërisë pas lufte, por duke kërkuar respektimin e të drejtave të njeriut dhe zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, sipas parimit pacta sunt servanda etj.


Koalicioni Antifashist, duke e patur parasysh luftën e shqiptarëve, në vitin 1944, kur ajo kishte marë përmasa të gjera, do ta institucionalizonte njohjen e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar shqiptar. Vendosi marrëdhënie dhe shkëmbeu misione me shtabin ndëraleat në Bari të Italisë, çka mund të konsiderohej si një shkallë më e avancuar e njohjes së luftës dhe organeve drejtuese të saj.

Një tjetër veprim ishte nënshkrimi në Bari, në gusht 1944, i marrëveshjes që e njohu ushtrinë NÇL si të vetmen forcë të organizuar që luftonte me gjermanët. Ishte ky një akt shumë i rëndësishëm juridiko-ndërkombëtar që sanksionoi një fakt të mirënjohur, rolin dhe kontributin e padiskutueshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare në Luftën e Dytë Botërore.

Në këtë mënyrë u njoh gjithashtu fakti që shqiptarët ishin ndër popujt që ditën të merrnin vendimin historik më të mënçur në gjithë rrugëtimin e tyre të gjatë në shekuj, u orientuan drejt Koalicionit Antifashist të Popujve, u bashkuan me fitimtarët dhe i siguruan vetes një vend nderi në Panteonin e historisë dhe në forumet ndërkombëtare të Pasluftës, ku do të projektohej arkitektura politike e Botës së Pasluftës./ DITA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit