Spitali Rajonal Durrës ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në zonën e ish-Kënetës, ku një 15-vjeçar u plagos rëndë me thikë nga një adoleshent 14-vjeçar.
Sipas njoftimit, i mituri mbërriti në urgjencë në gjendje tejet kritike, me plagë të shumta penetruese dhe organe të dëmtuara nga mjeti prerës.
Mjekët konstatuan dy çarje në zemër, secila me gjatësi 2 cm, të shoqëruara me tamponadë kardiake. Po ashtu, në stomak u evidentua një çarje 3 cm në regjionin e corpus ventrikuli, duke e vendosur pacientin në gjendje kufi.
Mjekët kryen një ndërhyrje të vështirë kirurgjikale për t’i shpëtuar jetën të miturit.
Fatmirësisht, ai ndodhet aktualisht në Reanimacion në gjendje të stabilizuar, ndërsa vijon të monitorohet nga stafi mjekësor.
“Një 15-vjeçar mbërriti në urgjencë në gjendje tejet kritike, me plagë të shumta penetruese dhe organe të dëmtuara nga mjeti prerës. Zemra kishte dy çarje nga 2 cm me tamponadë kardiake, ndërsa në regjionin e corpus ventrikuli u konstatua një çarje 3 cm në stomak. Gjendje kufi.
U fut menjëherë në sallë dhe ekipi kirurgjikal realizoi një ndërhyrje të vështirë, ku u menaxhuan dëmtimet jetike dhe u rikthye stabiliteti hemodinamik. Reagim i shpejtë, i pastër, pa humbur asnjë minutë.
Mirënjohje për kirurgët F. Shini dhe E. Demiraj, si dhe për anestezistin A. Banushi, që e çuan rastin drejt suksesit me profesionalizëm dhe qetësi operative. Pacienti aktualisht po trajtohet në Reanimacion në gjendje të stabilizuar”, thuhet në njoftimin e spitalit.









