Ish deputeti i Partisë Demokratike për qarkun e Fierit Luan Baçi, i ftuar në një X tv ka folur për përmbytjen e 120 ha tokë në Fier nga situata e keqe e motit dhe reshjeve të dendura ndërsa tha se qeveria është treguar e papërgjegjshme lidhur me situatën.
“Flasim për hektarët, hektarë të tërë mund të jenë rreth 120 hektarë në bashkinë e Fierit, rreth 80 hektarë janë vetëm në Çerven, plus pastaj mos të harrojmë asnjëherë që këto përmbytje të këtyre tokave dhe rrugëve gjithandej, kanë sjellë një problematikë shumë të madhe që ka qenë në vazhdimësi, por tashmë është shumë e theksuar, ujin e pijshëm në qytetin e Fierit.
Eshtë një problem i vërtetë dhe një katastrofë e vërtetë. Jo vetëm që ka ditë të tëra që fierakët rrinë pa ujë në shtëpitë e tyre, ditën apo natën, apo duke ardhur nga dy-tre orë, por tashmë vjen edhe me llum, baltë dhe ujë i turbullt që nuk përdoret për asnjë gjë, përveç se të bën më shumë të ndotë lavamanin sesa përdoret për të, për të kryer shërbimet e domosdoshme të një familje. Absolutisht shanse zero për gatim, po as për shpëlarje nuk bën më. Pra, parë në këtë këndvështrim, nuk kemi asnjë reagim nga institucionet përgjegjëse.
Në qoftë se do të ishte investuar gjatë gjithë këtyre viteve, do të kishte pastrim të kanaleve kullues, pastrim të kanaleve vaditës, kanalizimet e rrugëve që çojnë për tek të mbjellat, tek arat ku të ketë zhbllokime të, të ujërave, nuk do të kishte dhe përmbytje. Por nuk investohet në këtë drejtim, nuk subvencionohen fermerët në asnjë lloj drejtimi, ndodhin përmbytjet” u shpreh Baçi.









