-sidi education-spot_img
17.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Kolë Krasniqi: Rëndësia e anëtarësimit të Kosovës në Interpol

Kryesoret

Anëtarësimi i Kosovës në Interpol ka rëndësi të shumëfishtë dhe prek një spektër të gjerë fushash, nga siguria dhe diplomacia deri te shtetndërtimi. Si organizatë globale e bashkëpunimit policor, Interpoli u mundëson shteteve anëtare shkëmbimin e menjëhershëm të informacioneve, koordinimin operacional dhe akses në databazat vitale ndërkombëtare të të dhënave te ndryshme kriminale. Për Kosovën, kjo do të nënkuptonte forcim të kapaciteteve institucionale në luftimin e krimit ndërkufitar, terrorizmit, trafikimit të qenieve njerëzore dhe korrupsionit, si dhe rritje të efikasitetit në parandalimin dhe luftimin e aktiviteteve kriminale transnacionale.

Në aspektin politik, anëtarësimi në Interpol shërben si një instrument i rëndësishëm diplomatik. Ai kontribuon në afirmimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, në konsolidimin e pozicionit të saj në proceset euroatlantike dhe në rritjen e kredibilitetit të saj ndërkombëtar. Njëkohësisht, anëtarësimi i Kosovës në Interpol do ti mbronte qytetarët e Kosovës nga abuzimet me fletarrestime politike, të cilat Serbia vazhdon t’i përdorë kundër shtetasve kosovarë – veçanërisht ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në këtë perspektivë, Interpoli nuk duhet parë vetëm nga aspekti teknik si mekanizëm për bashkëpunim policor, por si një platformë strategjike për afirmimin e shtetësisë së Kosovës dhe për konsolidimin e rolit të saj në skenën ndërkombëtare.

Kundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në Interpol

Serbia e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në Interpol për arsye të qarta politike, juridike dhe gjeostrategjike. Së pari, pranimi i Kosovës në këtë organizatë do të nënkuptonte një formë të njohjes funksionale të shtetësisë së Kosovës, duke minuar drejtpërdrejt strategjinë serbe “për mosnjohje nderkombetare”. Një hap i tillë do të rrëzonte narrativën politike të ngritur nga Serbia se “Kosova nuk është shtet” dhe do të përmbyste përpjekjet shumëvjeçare të diplomacisë serbe për ta kufizuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

Së dyti, Serbia synon të ruajë kontroll pothuajse monopolistik mbi narrativën e krimeve të luftës dhe proceset juridike të lidhura me konfliktin e viteve 1998–1999. Duke penguar anëtarësimin e Kosovës në Interpol, Serbia e ruan hapësirën për të lëshuar fletarrestime të motivuara politikisht, për të ndjekur ish-pjesëtarë të UÇK-së në mënyrë selektive dhe për ta përdorur sistemin ndërkombëtar të drejtësisë si instrument per presion diplomatik.

Së treti, Serbia ka ambicie të qarta për t’u pozicionuar si qendra kryesore e sigurisë në Ballkan. Aplikimi i saj për hapjen e Zyrës Rajonale të Interpolit në Beograd është pjesë e kësaj strategjie më të gjerë për të konsoliduar ndikimin rajonal. Një Kosovë e anëtarësuar në Interpol do ta sfidonte këtë pretendim, duke e relativizuar rolin që Serbia synon t’i atribuoje vetes dhe duke kufizuar avantazhin e saj strategjik në fushën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar.

Për këto arsye, kundërshtimi i Serbisë nuk është thjesht procedural, por thellësisht politik dhe i orientuar drejt delegjitimimit të shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Pasojat e mosanëtarësimit të Kosovës në Interpol

Ballkani mbetet një rajon i ekspozuar ndaj niveleve të larta të kriminalitetit transnacional, përfshirë trafikun e drogës, korrupsionin, pastrimin e parave, migrimin ilegal dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Brenda këtij konteksti të ndërlikuar të sigurisë, mosprania e Kosovës në Interpol krijon një “zonë gri sigurie”, ku shkëmbimi i informacioneve është më i ngadalshëm, bashkëpunimi policor mbetet i ndërmjetësuar dhe rrjetet kriminale gjejnë mundësi për të shfrytëzuar boshllëqet institucionale.

Mos antaresimi i Kosovës nga Interpoli e dobëson strukturën e sigurisë në tërë rajonin e Ballkanit Perendimor. Ky mosantaresim ngadalëson edhe përpjekjet e koordinuara per luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, vështirëson kontrollin efektiv të kufijve dhe redukton efikasitetin e përgjigjes rajonale ndaj krimit të organizuar. Kjo nuk përbën vetëm një rrezik për Kosovën, por edhe për shtetet e tjera të Ballkanit Perendimore, përfshirë edhe Serbinë, pasi që „infrastruktura rajonale e sigurisë është po aq e fortë sa edhe hallka e saj më e dobët“.

Shkaqet e mosaplikimit te Kosovës për anëtarësim në Interpol!

Mosaplikimi i Kosovës për anëtarësim në Interpol që nga viti 2018 lidhet me tre faktorë kryesorë. Së pari, mungesa e mbështetjes së mjaftueshme ndërkombëtare ka krijuar një rrezik të theksuar për dështim. Pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, së bashku me ndikimin e Rusisë dhe Kinës në proceset vendimmarrëse të Interpolit, e bëjnë rezultatin e votimit shumë të pasigurt.

Së dyti, konsideratat politike të dialogut Kosovë–Serbi kanë ndikuar ndjeshëm në këtë vendimmarrje. Qeveritë kosovare kanë qenë të kujdesshme të shmangin veprime që mund të interpretoheshin si provokuese ose tensionuese në raport me Serbinë, veçanërisht në faza të ndjeshme të negociatave në Bruksel.

Së treti, ekziston frika e legjitimuar se një dështim i ri në votim do të instrumentalizohej nga Serbia. Një refuzim tjetër do t’i siguronte Serbisë argumente shtesë në fushatën e saj diplomatike për të contestuar shtetësinë e Kosovës dhe për të dobësuar pozitën e saj në arenën ndërkombëtare.

Perpjekjet serbe për hapjen e Zyrës Rajonale të Interpolit në Beograd

Një seli rajonale e Interpolit në Beograd do t’i siguronte Serbisë përfitime të konsiderueshme strategjike. Para së gjithash, Serbia do të pozicionohej si qendra kryesore e arkitekturës së sigurisë në Ballkan, duke fituar rol të zgjeruar në koordinimin e bashkëpunimit policor rajonal. Një seli e tillë do t’i mundësonte Beogradit qasje më të thelluar në sistemet globale të të dhënave kriminale, rritje të kapaciteteve për koordinim operativ dhe ndikim më të madh në përcaktimin e prioriteteve të sigurisë rajonale.

Ky status i ri institucional do të rriste ndjeshëm peshën politike të Serbisë në raport me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe organizatat ndërkombëtare, duke e forcuar imazhin e saj si aktor qendror në stabilitetin e Ballkanit.

Njëkohësisht, vendosja e kësaj zyre në Beograd do të krijonte një kanal të ri te ndikimit te Rusinë në Ballkanin Perëndimor. Përmes kësaj zyre në Beograd, Moska do të fitonte qasje të tërthortë në proceset e sigurisë rajonale, gjë që do t’i mundësonte asaj të ruante ose të zgjeronte ndikimin e saj gjeopolitik në një zonë ku rivaliteti ndërmjet fuqive të mëdha është tejet i theksuar.

Si do të ndikonte në Kosovë hapjen e Zyrës Rajonale të Interpolit në Beograd

Një rol i zgjeruar i Serbisë brenda Interpolit do të prodhonte pasoja të thella për Kosovën, duke e vendosur atë në një pozitë strukturore të pafavorshme në arkitekturën rajonale të sigurisë. Së pari, Kosova do të mbetej jashtë rrjeteve të integruara të bashkëpunimit policor, gjë që do ta detyronte të vazhdonte të mbështetej në mekanizma ndërkombëtarë ndërmjetësues për shkëmbim te informacioneve. Mungesa e qasjes së drejtpërdrejtë në Interpol do të ngadalësonte ndjeshëm proceset operative të Policisë së Kosovës dhe do të krijonte vonesa në koordinimin e aktiviteteve kundër krimit transnacional.

Së dyti, do të shtohej rreziku nga abuzimi me urdhërarreste politike nga Serbia. Një situatë e tillë do të ndikonte drejtpërdrejt në lirinë e lëvizjes së qytetarëve kosovarë, sidomos të ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe zyrtarëve shtetërorë, duke i ekspozuar ata ndaj arrestimeve të mundshme në shtete që zbaton mekanizmat e Interpolit.

Së treti, Serbia do të fitonte një avantazh të shtuar diplomatik, i cili do ta reduktonte më tej hapësirën e Kosovës për t’u integruar në strukturat ndërkombëtare të sigurisë. Në aspektin praktik, një epërsi e tillë e Serbisë do të ndikonte në perceptimin ndërkombëtar të rolit të Kosovës, si aktor në fushën e sigurisë.

Si do t’i trajtonte Serbia çështjet që lidhen me Kosovën nëse do te hapjej  Zyra Rajonale të Interpolit në Beograd

Serbia, me shumë gjasë, do të vazhdonte politikën e saj të “mosnjohjes funksionale”, duke i trajtuar institucionet e Kosovës si struktura jo-shtetërore dhe duke shmangur çdo formë të bashkëpunimit të drejtpërdrejtë institucional. Një pozicion i tillë brenda Interpolit do t’i mundësonte Serbisë të ushtronte presion të shtuar diplomatik ndaj Kosovës, të avanconte narrativën e saj për krimet e supozuara të luftës dhe të ndikonte në mënyrë të tërthortë në opinionin ndërkombëtar mbi statusin e Kosovës.

Përmes këtij mekanizmi, Serbia do të kishte mundësi të pengonte integrimin e Kosovës në rrjetet rajonale të sigurisë dhe të konsolidonte perceptimin ndërkombëtar të Kosovës si “territor i diskutueshëm” më shumë sesa si shtet sovran dhe funksional. Ky do të ishte një instrument i rëndësishëm strategjik në duart e Beogradit për të kufizuar hapësirën diplomatike dhe lëvizjen ndërkombëtare të Kosovës.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit