Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë konferencës “Business 2030 – A Sustainable Future Made in Albania”, theksoi rolin vendimtar të biznesit në zhvillimin ekonomik dhe afrimin e Shqipërisë me tregun e BE-së.
Sipas saj, qëndrueshmëria është kthyer në një kërkesë të domosdoshme.
“Qëndrueshmëria dhe inovacioni janë thelbësore për ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit tonë unik, duke i bërë produktet shqiptare konkurruese në tregjet globale”, deklaroi ministrja.
Ibrahimaj njoftoi se në fillim të vitit 2026 do të prezantohet një program i ri që synon të përgatisë bizneset për standardet e tregut europian, me fokus te digjitalizimi dhe modernizimi i proceseve.
Konferenca mblodhi përfaqësues nga institucione, biznese dhe partnerë ndërkombëtarë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për objektivat e zhvillimit deri në vitin 2030.









