Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj vendimit të qeverisë për ngritjen e 20 qendrave të reja për emigrantët në disa qytete të vendit.
Ai thekson se ky vendim është marrë pa konsultime me komunitetet lokale dhe pa një plan të detajuar sigurie, duke ngjallur shqetësime për rritjen e riskut për rendin publik dhe sigurinë e qytetarëve.
“Qeveria ka miratuar planin për ngritjen e 20 qendrave të reja të emigrantëve në Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë, pa transparencë dhe pa garanci sigurie. Ky vendim rrit rrezikun për komunitetet lokale në një kohë kur rendi publik është në krizë dhe policia nuk garanton dot sigurinë elementare në qytetet tona. Të hapësh kampe me qindra persona nga zona të konfliktit, pa u konsultuar me qytetarët dhe pa një plan të qartë sigurie, pa transparencë, është papërgjegjshmëri e rëndë. Shqipëria nuk mund të shndërrohet në një korridor të pakontrolluar migrator ndërkohë që institucionet tona të rendit janë të mbingarkuara dhe të politizuara. Qytetarët kanë të drejtë të dinë çfarë po ndodh me sigurinë e tyre dhe pse qeveria merr vendime të tilla në mënyrë të fshehtë. Siguria kombëtare duhet të jetë prioritet absolut,” shprehet Balliu.









