-sidi education-spot_img
13.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Meta: Çështja e Detit si interes kombëtar, jo si tender sekret

Kryesoret

Çështja e Detit është jo vetëm shumë herë më e “thellë” se vetë Deti Jon, por edhe aq e shëmtuar fatkeqësisht, në kontrast të plotë me bukurinë përrallore të Jonit.

Këtë çështje, për shkak të detyrave shtetërore, kam qenë i detyruar ta ndjek për gati 13 vjet, prej funksioneve të larta, nga Ministër i Jashtëm në shtator 2009 e si President i Republikës deri në korrik 2022.

Akti i fundit zyrtar që kam bërë si President i Republikës, ishte informimi zyrtar nominal i çdo deputeti të Kuvendit lidhur me ecurinë e kësaj çështjeje gjatë pesë viteve që unë shërbeva si President i Republikës.

Ky akt synonte, jo vetëm realizimin e një transparence, por edhe ndërgjegjësimin për rëndësinë e vëmendjes që kërkonte kjo çështje tejet e koklavitur, por kurrë prej meje.

Dihet se falë ankimit të Partisë Socialiste, Gjykata Kushtetuese u investua duke nxjerrë një vendim të posaçëm kushtetues si udhërrëfyesi i vetëm për parimet dhe rrugët e negocimit deri në përcaktimin në detaje të rolit të çdo institucioni shtetëror.

Në respekt të këtyre detyrimeve kushtetuese, kam bashkëpunuar me Qeverinë, duke dhënë edhe autorizimin për krijimin e grupit negociator.

Por çuditërisht, në vitin 2018, pala greke kërkoi të operohej në bazë të vullnetit politik, çfarë nuk ishte kompetencë e grupit negociator.

Në këto rrethana të reja, si President i Republikës pres në takim Kryeministrin Rama për të ecur drejt zgjidhjes së kësaj çështjeje, e cila tani kishte vetëm një rrugë, autorizimin e Kryeministrit për drejtimin e negociatave.

Për mua kjo ishte plotësisht e logjikshme, duke patur në konsideratë se Kryeministri ishte edhe bartës i vullnetit të shumicës në Kuvend, roli i të cilit ishte dhe mbetet i pashmangshëm në çdo marrëveshje të tillë.

Por dakordësia e këtij takimi jo vetëm që nuk u shoqërua kurrë me një kërkesë për autorizim nga Kryeministri dhe Qeveria, por përkundrazi, u shoqërua me një ndërprerje të njëanshme të komunikimit institucional për këtë çështje, për të vazhduar më tej me dizinformacione ndaj palës greke sikur Presidenti i Republikës bllokonte procesin, aq sa Z. Avramopulos u habit pas takimit me mua për dy histori krejt të ndryshme që dëgjonte për të njëjtën çështje.

Jo vetëm kaq, por Qeveria vazhdonte sjelljet e saj jotransparente dhe Kryeministri, si shejtan-budalla, bënte edhe deklarata publike për këtë çështje, të cilat mund të rëndonin pozitën e shtetit shqiptar në gjykatat ndërkombëtare.

Aq shumë ishte helmuar pala greke me dizinformacione sa Ministri i Jashtëm atë kohë, Z. Dendias, në Maj 2022, pasi i refuzoi Ministres së Jashtme modifikimin e dakordësisë së 20 Tetorit 2020 që kishte arritur me Kryeministrin Rama, deklaroi se puna për mbylljen e Marrëveshjes së Detit do të fillonte sapo në zyrë të hynte Presidenti i ri i Shqipërisë (pra të ikte Meta).

Sot që unë po shkruaj këto rradhë kanë kaluar tre vjet e gjysmë që nuk jam në zyrën e Presidentit, por jam në një “zyrë” të re edhe për shkak të (mos) Marrëveshjes së Detit.

Meqenëse këtu në “zyrën” e re, u informova nga mediat shqiptare, të cilat ishin informuar nga mediat dhe autoritetet greke, për vizitën e afërme të Ministres së Jashtme të vendit tonë, ku theksohej se temë kryesore do të ishte edhe Çështja e Detit, vetëm në interes të suksesit të kësaj vizite, por edhe mbrojtjes konstruktive e legjitime të interesave sovrane të Shqipërisë, do të doja të ndriçoheshin sa të ishte e mundur disa pyetje dhe disa çështje jetike, për të cilat nuk flitet askund.

Në 20 tetor 2020, Rama-Dendias ranë dakord të shkojnë në Hagë për Detin, si dhe të shkojnë për gjithë çështjen, duke bërë kështu NUL negociatat dhe dakordësitë e vitit 2018.

Kur u mor vendimi nga Kryeministri, nuk kishte dhe ende nuk ka (në dijeninë time) grup negociator.

Pas autorizimit duhet të ngrihet Grupi Negociator për hartimin e Marrëveshjes Speciale të ratifikuar nga dy vendet dhe që i paraqitet Gjykatës Ndërkombëtare.

Kjo Marrëveshje përmban pyetjet për gjykatën, që zakonisht kërkon zgjidhjet për mosdakordësitë.

Çfarë u arrit në vitin 2018 sipas dijenisë time?

U reflektuan vendimet e Gjykatës Kushtetuese:

Titulli i Marrëveshjes, parimi i delimitimit, me distanca të barabarta dhe korrektuar për Equitenë, u hoq neni 2 i Marrëveshjes, u vlerësua kufiri në Gjirin e Ftelias.

U dakordësua teksti i Marrëveshjes, vija me distanca të barabarta, si dhe parimi i Equitesë për shkëmbinjtë në detin territorial dhe ishujt në Shelfin Kontinental dhe ZEE.

Ndërkohë që Greqia e njohu në negociatat e 2018, sepse nuk kishte mundësi ta kontestonte në rrugë diplomatike.

Ishte pikërisht ky raport dhe konkluzion edhe i “Omnis Strategy” që e detyroi Ministren e Jashtme, Znj. Olta Xhaçka në maj 2022, t’i kërkonte homologut grek Z. Dendias, modifikimin e dakordësisë të 20 tetorit 2020, Rama-Dendias, që u refuzua nga ky i fundit, që mezi priste largimin e Presidentit të Republikës.

Meqënëse po bëhen katër vite që e kemi paguar 3 milion, euro “Omnis Strategy ” kur do të njihemi me konkluzionet dhe vlerësimet e saj?

A e ka Presidenti i Republikës këtë raport të plotë? Po Kryetari i Kuvendit?

Po Kryetarët e Grupeve Parlamentare? Po Komisioni i Ligjeve? Po Komisioni i Jashtëm?

A janë në dijeni këto institucione dhe funksionarë për shkak të detyrës së tyre nëse Greqia ka dorëzuar një draft të

Marrëveshjes Speciale për negocim?

Po për përmbajtjen e draft-marrëveshjes të MEPJ?

Për çfarë do shkohet në Hagë?

Për të gjithë çështjen apo vetëm për çfarë nuk është rënë dakord në 2018?

A ka përputhje dhe për çfarë çështjesh midis draftit grek dhe atij shqiptar për Marrëveshjen Speciale?

Ndaj në mënyrë transparente, konstruktive dhe profesionale, ndihmojeni edhe Ministren e Jashtme të ketë një vizitë të suksesshme në Athinë.

Edhe një konsultë me negociatorët e 2018, nuk do të ishte humbje kohe.

Po kështu edhe me ish-anëtarët e nderuar të Gjykatës Kushtetuese.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit