Policia ka arrestuar 20 vjeçarin Erjon Mejdani, ky i fundit akzuohet se u merrte para qytetarëv duke u bërë shantazh në rrjetet sociale.
Policia sqaron se 20 vjeçari për një periudhë rreth 2-javore, në një rrjet social hapte profile false dhe, gjatë komunikimit me shtetas të ndryshëm, siguronte prej tyre foto personale.
Njoftimi:
DVP Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Online Threat”.
Mashtronte shtetas të ndryshëm duke u kërkuar nga 500 deri në 1000 euro, për të mos publikuar në rrjetet sociale fotot e tyre personale, vihet në pranga 20-vjeçari.
Dokumentohen 2 raste të mashtrimit të kryera nga ky shtetas.
Seksioni për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën kibernetike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Online Threat”.
Si rezultat i operacionit u arrestua shtetasi E. M., 20 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas, për një periudhë rreth 2-javore, në një rrjet social hapte profile false dhe, gjatë komunikimit me shtetas të ndryshëm, siguronte prej tyre foto personale. Më pas, nëpërmjet mashtrimit dhe shantazhit, u kërkonte shuma monetare nga 500 deri në 1000 euro, në këmbim të mosbërjes publike të fotove personale.
Konkretisht, në datat 05.12.2025 dhe 06.12.2025, ky shtetas, në mënyrë të përsëritur, ka përfituar shumën 750 euro nga një 36-vjeçar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.









