Një punonjës i policisë në Kukës është arrestuar dhe është lënë në burg nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, pas dyshimeve për shpërdorim detyre dhe përfshirje në trafikim narkotikësh.
Hetimet e kryera në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Policinë e Shtetit kanë zbuluar se punonjësi i policisë ka përdorur pozitat e tij për të ndihmuar aktivitete kriminale, duke siguruar logjistikë për transportin e lëndëve narkotike dhe duke nxjerrë informacione konfidenciale.
Postimi i Agjensicë të Mbikëqyrjes policore:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar masën e sigurimit “Arrest në burg” caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ndaj punonjësit të policisë R. K., me detyrë Shef Seksioni pranë Policisë Shkencore në Kukës, i dyshuar për kryerjen e verpave penale “Shpërdorim i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a dhe 28 pika 4 e Kodit Penal.
Caktimi i masës së sigurisë u bë i mundur në kuadër të procedimit penal të vitit 2022 , ku punonjësi i policisë dyshohet se ka përdorur atributet që i jep funksioni pë të ndihmuar aktivitetin kriminal duke:
siguruar logjistikë për transportin e lëndëve narkotike;
nxjerrë informacione konfidenciale mbi kontrollet policore;
ndërhyrë në pajisje celulare duke fshirë të dhëna me interes për hetimin;
përdorur në mënyrë të paligjshme sistemin TIMS për interesa të personave të përfshirë në aktivitet kriminal;
përdorur komunikim të koduar në aplikacionin SKYECC.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale si dhe për identifikimin e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.









