Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, në emër të EPP Women, prezantoi në Asamblenë Politike të PPE-së një rezolutë për luftimin e dhunës ndaj grave në politikë dhe jetën publike, duke e vendosur këtë çështje në qendër të axhendës së partive evropiane të qendrës së djathtë.
Rezoluta synon garantimin e përfaqësimit të barabartë të grave, mbrojtjen e tyre nga kërcënimet fizike, psikologjike dhe sulmet online, dhe nxit respektimin e Konventës së Stambollit. Vokshi theksoi se dhuna ndaj grave nuk është çështje ideologjie, por një rrezik real për demokracinë dhe shtetin e së drejtës.
Kërkesat kryesore të rezolutës përfshijnë: tolerancë zero ndaj dhunës, mbrojtje ligjore dhe institucionale për gratë në politikë, ndjekje penale të dhunës, përgjegjësi për sulmet online, dhe kushtëzime të forta për vendet ku mizogjinia pengon integrimin evropian.
Rezoluta bën thirrje që institucionet dhe partitë të sigurojnë dinjitetin, lirinë e shprehjes dhe sigurinë për gratë që mbrojnë demokracinë.
Sipas të dhënave të institucioneve ndërkombëtare dhe evropiane:
* 85% e deputeteve kanë përjetuar dhunë psikologjike
* gati 1 në 2 ka marrë kërcënime për vdekje ose përdhunim
* 1 në 4 ka përjetuar dhunë seksuale
* 73% e gazetareve në botë përjetojnë dhunë online dhe 1 në 5 edhe dhunë fizike
Kërkesat kryesore të Rezolutës së EPP Ëomen ndaj PPE-së dhe institucioneve evropiane
1. Tolerancë zero ndaj dhunës kundër grave në parti, politikë, jetën publike dhe institucione
2. Mbrojtje konkrete për gratë në politikë (fizike, ligjore, psikologjike dhe institucionale)
3. Zbatim të plotë të Konventës së Stambollit
4. Ndjekje penale të dhunës politike
5. Përgjegjësi ligjore për dhunën në platformat online
6. Mbrojtje të plotë për gazetaret dhe aktivistet
7. Kushtëzim të fortë në procesin e zgjerimit të BE-së për vendet ku sundon dhuna dhe mizogjinia
Rezoluta u bën thirrje të gjitha partive, institucioneve dhe vendeve partnere që të mbrojnë dinjitetin njerëzor, lirinë e shprehjes dhe shtetin e së drejtës, duke mbrojtur gratë që mbrojnë demokracinë çdo ditë.









