Në Këshillin e Lartë të Prokurorisë po vijon seanca dëgjimore për të zgjedhur kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme mes 4 kandidatëve Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho. I pari që ka shpalosur platformën e tij është prokurori Adnan Xholi. Ai tha se pika e tij e dobët është ekspertiza për hetimin e krimit për kriptovalutat.
Tha se tani ka ardhur koha për hetime të shpejta nga SPAK-u. “E ndjeva privilegjin të aplikoja për shkak se vlerësoj se nga ana formale plotësoj kriteret që përcakton KLP për ngritjen në detyrë, me besimin se kam aftësitë e duhura profesionale për të drejtuar një nga institucionet më të rëndësishme të reformës në drejtësi.
Shpreh vlerësimet maksimale ndaj trupë së SPAK për rezultatet që kanë arritur pasi secili prej tyre është kandidat potencial për ta drejtuar atë strukturë. Kanë arritur rezultate konkrete në luftën kundër kriminalitetit, krenar që punoj me ata dhe do t’i mbështes në çdo situatë pavarësisht votimit të sotëm.
Ata janë familje ime në sistemin e drejtësisë, më tepër qëndrojmë me ta se me familjen biologjike, ka ardhur koha që të vijohet me hetime në kohë të shpejtë për të goditur kriminalitetin si me hetime penale edhe pasurore, me qëllim sekuestrimin e aseteve të krimit, për të çrrënjosur kulturën e pandëshkueshmërisë dhe promovimin e barazisë para ligjit për të gjithë qytetarët”, tha Xholi.
Gara për SPAK-un/ Xholi: Rezultatet si prokuror dhe platforma









