Klodian Braho do të jetë kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme. Braho u zgjodh me 7 vota nga anëtarët e KLP-së, 3 vota të tjera ishin për kandidatin tjetër Adnan Xholi dhe 1 votë për Elvin Gokajn, zero për Doloreza Musabelliun.
Por kush është drejtuesi i ri?
Braho, i emëruar prokuror në vitin 2007 është pjesë e strukturës së posaçme që prej krijimit të saj dhe aktualisht drejton seksionin kundër korrupsionit.
Me një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe me eksperiencë të theksuar në çështjet e korrupsionit, Braho ka qenë në krye të disa prej hetimeve më të bujshme të dekadës së fundit.
Ai është prokurori që ka hetuar çështjen e inceneratorit të Elbasanit, ku lëshoi urdhër-arreste për personazhe si Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, si edhe vendosi ndarjen e hetimit për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj.
Gjithashtu ka hetuar dosjen “5D”, që çoi në gjyq ish-drejtorë të Bashkisë së Tiranës, si edhe dosja e njohur “Toyota Yaris”, e cila mbetet ende në hetim në disa fraksione të saj.
Braho është pjesë edhe e grupit të prokurorëve që firmosën dërgimin për gjykim të çështjes ndaj ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu, i akuzuar për “shpërdorim detyre” në lidhje me tragjedinë e Gërdecit.









